MFPT reagon ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit për shtesat e fëmijëve
M.P. / RTKlive
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka quajtur të pa saktë dhe dëmtuese të reputacionit, deklaratën e publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë.
“Qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohemi se nga to përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur kështu paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon tek nënshtetasit rezidentë që jetojnë në Kosovë. Për këtë arsye, MFPT ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre”, thuhet në komunikatën për media të kësaj ministrie.
Më tej thuhet se përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve.
“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë. Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë”, vazhdon reagimi.
Në ndërkohë Avokati i Popullit sot ka publikuar një letër rekomandim për MFPT-në në lidhje me pezullimin e pagesës së shtesës për fëmijë, specifikisht për komunitetin serb. Sipas postimit në facebook, Departamenti i Skemave Sociale i MFPT-së u ka kërkuar përfituesve verifikimin e dokumenteve për shtesën e fëmijëve. Gjithashtu bëhet e ditur se u është kërkuar edhe që të paraqiten në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për ta verifikuar statusin e tyre të vendbanimit.
“Avokati i Popullit ka konstatuar se veprimet e MFPT-së kanë mundur të mos kenë për qëllim shkeljen e të drejtave të qytetarëve por i gjithë procesi i verifikimit në rend të parë ka qenë në kundërshtim me parimet e procedurës administrative. Dhe kjo ka pasur një efekt zingjiror në shkeljen e parimeve të sundimit të ligjit, në veçanti të fëmijëve të komunitetit serb, duke i vënë ata në një pozitë të pabarabartë dhe të pafavorshme, që në fakt përbën diskriminim mbi bazën e përkatësisë etnike”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.
Më tej Avokati i Popullit ka specifikuar se u ka rekomanduar MFPT-së që pa vonesa të mëtejshme, të publikojë të gjitha vendimet, udhëzimet dhe kushtet në lidhje me procesin e verifikimit të dokumentacionit të qytetarëve përfitues të shtesës për fëmijë të publikohen në mënyrë të qartë dhe transparente, në të dyja gjuhët zyrtare.























