DHTIK dorëzon padi kundër ZRRE-së për vendimin e liberalizimit të tregut
M.P. / RTKlive
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka njoftuar për dorëzimin e padisë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas tyre, në vendimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike ka shkelje të rënda ligjore dhe procedurale. Ata u kanë bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi.
“Ne besojmë fuqishëm se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej, institucioni thekson se ky vendim, sipas tyre, është marrë pa konsultime paraprake me palët e interesit, pa një analizë të thelluar të tregut, dhe kjo pos që rrezikon qëndrueshmërinë e bizneseve, rrezikon edhe vendet e punës.
“Për më tepër, përkundër deklarimeve publike se tregu është liberalizuar dhe se janë të hapura mundësi të shumta për furnizim, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – e cila po dërgon oferta për furnizim të bizneseve. Kjo bie ndesh me vetë thelbin e liberalizimit dhe e shndërron këtë proces në një monopol të fshehur, duke rritur rrezikun për abuzim me çmime dhe cilësi të shërbimit”, vazhdon reagimi.























