Bajrami në RTK PRIME: Nuk ka deputetë të LDK-së që e votojnë Haxhiun
BKT
Lajme

Bajrami në RTK PRIME: Nuk ka deputetë të LDK-së që e votojnë Haxhiun

V.S|RTKlive

(E plotësuar) Nënkryetarja e LDK-së në "RTK PRIME" tha se nuk ka asnjë deputet të LDK-së që do t’i jepte votë Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, edhe përmes një votimi të fshehtë në Kuvend.

Për këtë çështje e të tjera, Bajrami tregoi se kanë diskutuar një ditë më parë përreth 3 orë në zyrën e deputetëve të LDK-së.

Madje, ajo deklaroi se ka qenë një propozim i deputetëve të pranishëm në takim që, nëse Kushtetuesja do të vendoste që të procedohej me votimin e fshehtë, atëherë deputetët të bënin publike votat e tyre.

“Absolutisht jo, dje kemi diskutuar në Grupin Parlamentar për 3 orë për të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët dhe ngërçin në Kuvend. Jemi në pritje të Gjykatës Kushtetuese, ka qenë një propozim, jo i kryetarit, jo i imi që kam një pozitë joformale, por propozim i deputetëve që kanë qenë prezent, që nëse Kushtetuesja do të vendosë të procedohet me votimin e fshehtë, deputetët prapë se prapë do të bëjnë të ditur votën e tyre. Do të gjejnë një formë që votat e tyre të jenë publike. Nuk e di se cila do të jetë forma, por ishte propozuar në mënyrë të mos t’u lakohet emri. Nuk ka asnjë lloj lëvizje, asnjë deputet as nuk ka qëllim të lëvizë nga Grupi Parlamentar”, tha ajo.

(21:06) Bajrami në RTK PRIME: Kurti po e denigron Haxhiun

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në RTK PRIME ka folur për zhvillimet e fundit në vend e për 25 dështimet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, për çka tha se përgjegjësia kryesore i takon partisë që ka fituar 48 ulëse deputetësh në Kuvendin e Kosovës.

E dyta e LDK-së, parti që për gati tri vite bojkotoi RTK-në, në këtë intervistë deklaroi se Albin Kurti nuk mund të thotë se i ka votat për Qeveri, por jo për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Sipas saj, nëse Kurti i ka 61 vota për Qeverinë, por jo për Haxhiun, atëherë po i bie se po e denigron atë.

“Nuk mund të thuash i kam votat për qeveri, atëherë Kurti nuk po i përdor ato vota për ta zgjedhur Haxhiun. A i bie që patriarkalizmi është pikërisht te ai, sepse ai votat që i ka për ta zgjedhur qeverinë, nuk po i vë në shfrytëzim. Votat nuk harxhohen, nëse i ke 61 vota për qeverinë, i ke 61 edhe për Albulena Haxhiun. Cili është shpjegimi pse nuk i përdor ai këto 61 vota? Nëse i ka, atëherë i bie që ai është duke e denigruar figurën e zonjës Haxhiu, sepse po i ka numrat, por po i thotë asaj se këto vota nuk mund t’i përdor për të bërë ty kryetare të Kuvendit, po i ruaj 3 ditë pas për ta votuar Qeverinë e Kosovës. A po i bie kjo që ndoshta ka deputetë të LVV-së që nuk po ia votojnë Haxhiun? Ai duhet ta shpjegojë, sepse nuk mund të besoj që Kurti i paska votat, por jo Haxhiu. Atëherë po i bie që ka njerëz brenda LVV-së që nuk janë duke votuar Haxhiun, sepse unë nuk e besoj që ka deputetë të partive të tjera parlamentare që do ta votonin Kurtin pa një marrëveshje politike”, tha Bajrami në RTK PRIME.

Kështu ajo u deklarua kur u pyet për akuzat ndaj tyre se Haxhiu nuk po votohet veç pse është grua.

Ajo tha se figura e ministres në detyrë të Drejtësisë e kandidates për kryeparlamentare nga Vetëvendosje nuk po kontestohet pse është grua, por se e shohin si një figurë polarizuese.

“Nuk ka të bëjë kjo me gjininë, unë jam grua vetë, jam në politikë nga viti 2010, nuk pajtohem asnjë pikë, sepse askush nuk e ka kontestuar figurën e Haxhiut pse është grua. Të gjitha deklaratat që dëgjohen nga blloku i deri djeshëm opozitar janë që Haxhiu ka qenë figurë polarizuese, çka është e vërtetë, që ka dështuar për katër vite si ministre e Qeverisë”, tha ajo.

Bajrami tha se Kuvendit i duhet një figurë unifikuese, meqë kreu i Parlamentit do të ushtrojë edhe rolin e presidentit nga marsi i vitit që vjen.

Madje, Hykmete Bajrami tha se pikërisht do të jetë kjo situatë që do ta çojë vendin në zgjedhje, meqë thotë se po shihet qartë se asnjë koalicion nuk i ka votat për ta zgjedhur kreun e shtetit.

Bajrami: Kurti natën e zgjedhjeve shembi urat e bashkëpunimit

E ftuar në "RTK PRIME", nënkryetarja e LDK-së, që aktualisht ka një pozitë joformale si prijëse e deputetëve të kësaj partie, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shembi urat e bashkëpunimit në natën e zgjedhjeve.

“Ju e dini që ka fituar 42 për qind të votave, derisa do të duhej që natën e zgjedhjeve t’i uronte partitë tjera, ai ka dalë e i ka ofenduar të gjithë të tjerët, ka shembë, jo vetëm atë natë, por për katër vite ka shembur urat e bashkëpunimit. Problemi sot është politika e Vetëvendosjes”, tha ajo.

Bajrami tha se në Kosovë nuk ka fitues absolut të zgjedhjeve.

“Nuk i morën ato 500 mijë votat e tash duhet të ulen e të reflektojnë. Numrat janë numra, ne nuk mund t’ua huazojmë votat e atyre që na kanë votuar neve, për të çuar përpara politikat e tyre. Ne i thamë jo, atyre u mbetet që t’i ftojnë edhe të tjerët. Marrëveshja për koalicion do të jetë pajtueshmëri e të dy palëve. Ne kemi ardhur me një propozim tjetër, ne mund të pranojmë të jemi pjesë e një qeverie kalimtare gjithëpërfshirëse me një agjendë të caktuar. Ne kemi në mendje se cilat janë problemet kryesore që mund t’i zgjidhë një qeveri kalimtare. Dhe në mars të vitit 2026, ashtu-kështu do të ketë zgjedhje, sepse vjen koha kur duhet të zgjidhet presidenti, dhe siç shihet nuk ka koalicion që i siguron 80 vota, prandaj ejani të bëhemi bashkë t’i kryejmë disa punë urgjente për Kosovën, për qytetarët, t’i iniciojmë disa projekte të mëdha”, tha në RTK, Hykmete Bajrami.

Bajrami: Çfarëdo që të jetë vendimi i Kushtetueses, LDK-ja do e respektojë

Nënkryetarja e LDK-së tha se do të ishte shumë mirë që Kushtetuesja ta japë një sqarim që nuk është as në Kushtetutë as në Rregullore, meqë sipas saj, askush nuk e ka menduar se një parti politike mund ta paraqesë për 25 herë një kandidat e të mos reflektojë.

“Unë uroj që Kushtetuesja t’i japë zgjidhje situatës, e mund të siguroj se çfarëdo që të jetë vendimi, LDK-ja do e respektojë”, tha ajo.

Bajrami foli edhe për një çështje tjetër që është deponuar në Kushtetuese nga Vetëvendosje, që ka të bëjë me dyshime për vjedhje votash në diasporë.

“Sa i përket vjedhjes së votave, edhe këtë uroj shumë që të zgjidhet ky problem, të ndriçohet rasti e të shihet se kush ka vjedhur vota, sepse ju e dini shumë mirë disproporcioni i votave të atyre që kanë votuar në ambasada dhe atyre që kanë votuar me postë. Ne kemi parë ambasadorë që janë sot të dyshuar për tregti të energjisë, deklarim të rremë të pasurisë, deklarim të rremë nën betim, që janë marrë me bartje të thasëve me vota”, deklaroi ajo.

Ajo tha se kjo është e dëshmuar me video e raportime. “I kemi parë thasët e votave nëpër kuzhina, në thasë mbeturinash, të gjitha këto duhet të zbardhen. Duhet të ketë hetim për të gjitha partitë politike nëse ka veç një dyshim më të vogël që ka vjedhje votash”, vijoi ajo në RTK PRIME.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike tha se LVV-ja lëndën në Kushtetuese "e ka dërguar për të mbuluar skandalet e veta sa i përket keqmenaxhimit të votave".

Bajrami për Gërvallën: Dikur e quante Kurtin komunist

E pyetur për deklarimet e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, që ka thënë se LDK ka qenë institucionaliste, jo bllokuese, Bajrami tha se është pikërisht Gërvalla që dikur Kurtin e quante ‘enverist’ e ‘komunist’.

“Kur përmendni zonjën Gërvalla, dje derisa shfletoja diçka, më doli një video e saj e cila fliste për Albin Kurtin që e cilësonte si enverist, komunist. Ajo sot është pjesë e LVV-së, është në koalicion, po bashkëqeverisë. Derisa nuk ka qenë me të, ka pasur vlerësimet më të ulëta. Kritikat më të ashpra për Albin Kurtin, Gërvalla që ka ndryshuar për 360 shkallë. Njëjtë Faton Peci, nuk ka ndryshuar LDK-ja, ka ndryshuar Faton Peci. Por, Faton Peci të mos merret me LDK-në, le të merret me aktakuzat, hetimet.”

Bajrami: Dy palë zgjedhje në vjeshtë do ta komplikonin procesin

E pyetur nëse mund të ketë dy palë zgjedhje në vjeshtë, Bajrami tha se mbase kjo edhe është strategji e Kurtit.

Ajo tha se LDK-ja nuk i frikësohet zgjedhjeve, por nëse do të mbaheshin dy palë zgjedhje, sipas saj, nuk beson se do të kishte një proces kredibil.

“Mbase strategjia e Kurtit është edhe kjo, që të përsërisë procesin zgjedhor. Por, është e pafalshme që të shpenzohen miliona për t’i përsëritur zgjedhjet. Çka ka ndryshuar në skenën politike, çfarë do u servojmë ndryshe. Nëse do të mbaheshin dy palë zgjedhje së bashku, shumë jam skeptike që do të ketë një proces kredibil të zgjedhjeve, sepse situata do të komplikohej tepër, sepse të gjithë e dimë se në zgjedhjet lokale ka 2 fletëvotime, veçmas votohet për kryetarin e komunës, veçmas për asamblistët. Në anën tjetër, nëse i shtojmë edhe një fletëvotim tjetër me 10 kandidatë zgjedhje preferenciale, atëherë situata do të komplikohej shumë. Më besoni që një vakum institucional do të ishte me pasoja fatale”, deklaroi Hykmete Bajrami.

Bajrami në RTK PRIME: Ka rrjet të mafisë energjetike

Nënkryetarja e LDK-së, në intervistën e saj në RTK PRIME, tha se Kurti e ka për detyrë të dalë e të shpjegojë kush është mafia energjetike.

“EFT-ja e Vuk Hamoviçit na e ka faturuar bizneseve dhe qytetarëve 800 euro megavatin vetëm për transport. EFT-ja e Vuk Hamoviçit edhe NOA që ka lindur gjatë qeverisjes së Kurtit janë këto që në shumicën e rasteve i fitojnë tenderët”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka për obligim të dalë të shpjegojë kush është mafia energjetike.

“A është Nagipi, a është Martini. Cili është roli i vëllait të Kurtit që punon te drejtoria e operimeve që merret edhe me tregtim të energjisë elektrike në KEK, qysh do të provojë fatin vëllai i Luan Dalipit, qysh zyra e ZRRE-së në emër të pavarësisë refuzon të vijë në Kuvend e vizatohet sa herë Kurti e thirr. Cilët janë njerëzit dhe lidhjet politike familjare të Bordit të KOSTT-it. Nëse Vuk Hamoviçi e Damir Fazlliçi kanë qenë mafi energjetike kur ka qenë Kurti në opozitë, tash mafia energjetike ka emra, ka formë, dihen lidhjet, vendimet. Ne kemi parë mesazhe ku tenderët e KEK-ut për remont të blloqeve jepen në WhatsApp”, tha tutje ajo.


MË SHUME NGA Lajme