Shënohet 12-vjetori i themelimit të kanalit në gjuhën serbe, RTK2
Fatos Cervadiku /RTK
Është shënuar sot 12-vjetori i themelimit të kanalit në gjuhën serbe RTK 2, i cili funksionon në kuadër të transmetuesit publik të Kosovës. RTK 2 ka nisur punën më 4 qershor të vitit 2013.
Drejtoresha e RTK 2, Aleksandra Jovanoviq, foli për rrugëtimin në këto 12 vite të këtij kanali.
“Që nga themelimi e deri më sot, RTK 2 është rritur dhe është bërë relevante, gjë që ka shumë rëndësi për komunitetin serb dhe për të gjithë ata që flasin dhe kuptojnë gjuhën serbe. Jemi mirënjohës ndaj shikuesve tanë që na kanë qëndruar besnikë që nga fillimi, që ishin aty për të na kritikuar kur ishte e nevojshme, por mbi të gjitha për të na mbështetur kur kishim më shumë nevojë,” tha Jovanoviq.
Ajo foli edhe për punën dhe sfidat përgjatë këtyre viteve.
“Në këtë periudhë për të cilën po flasim, prej 12 vitesh, nuk ka qenë e lehtë. Shumë shpesh kemi punuar përtej kufijve të asaj që ishte e mundur, megjithatë kemi fituar besimin e shikuesve duke punuar profesionalisht, duke raportuar objektivisht dhe duke qenë gjithmonë në vendin dhe në kohën e duhur,” tha ajo.
RTK 2 ka nisur punën më 4 qershor të vitit 2013.























