Haradinaj: AAK e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes
V.Th / RTKLive
“Aleanca ka dalë me propozime konkrete të emrave, që mund të jenë figura konsensuale, të cilat do të mund të merrnin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit,” ka deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Ai theksoi se shoqëria civile është një zë i artikuluar dhe i qëndrueshëm në të gjitha proceset politike në vend, sikurse edhe në situatën aktuale të krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, me bllokadën institucionale që po e mban vendin peng.
Haradinaj tha se Aleanca është e përkushtuar të ofrojë zgjidhje dhe të ndihmojë në daljen nga kjo gjendje e papranueshme, dhe në këtë frymë, partia i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nevojshëm kushtetues, si instrument që mundëson zhbllokimin institucional dhe kthimin e Kuvendit në funksionalitet të plotë.
Sipas tij, bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme dhe po i kushton vendit me pasoja të mëdha politike, institucionale dhe ekonomike.
“Aleanca mbetet e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes,” përfundoi Haradinaj.























