RTK vlerësohet pozitivisht nga ZKA, jepen pesë rekomandime |VIDEO
Elmina Osmani / RTK
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e Auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për Pasqyrat Financiare të vitit 2024 për Radiotelevizionin e Kosovës, të cilin e ka vlerësuar pozitivisht, duke dhënë opinion të pamodifikuar.
Në raportin e ZKA-së shkruan se:
“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore të bashkangjitura ofrojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale për pozitën financiare të Radiotelevizionit të Kosovës deri më 31 dhjetor 2024, performancën financiare dhe rrjedhën e parasë së gatshme për vitin 2024, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.”
Nënkryetari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka thënë se kjo është forma më pozitive e opinionit të auditimit që mund të jepet nga auditorët. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ndër të tjera ka shkruar:
“Kjo arritje është dëshmi e përkushtimit të jashtëzakonshëm të Bordit përgjatë vitit 2024 për të garantuar transparencë, qeverisje të mirë dhe përgjegjshmëri. Me angazhim të palëkundur janë vendosur standarde llogaridhënëse. Ky raport konfirmon transparencën dhe përkushtimin ndaj menaxhimit të përgjegjshëm financiar,” ka theksuar Beqiri.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, duke komentuar këtë raport, ka shkruar se kjo dëshmon se menaxhimi është i mirë dhe në përputhje me rregullat.
“Sigurisht, në raport ka edhe disa sugjerime për të bërë punën tonë edhe më mirë, dhe ne do të punojmë fort për t’i zbatuar ato,” ka shkruar Hundozi.
Raporti i ZKA-së për RTK-në ka rezultuar me pesë rekomandime: tre prej tyre të reja, një i përsëritur dhe një pjesërisht i përsëritur. Përgjigjja e menaxhmentit të entitetit ndaj të gjitha këtyre rekomandimeve ka qenë se pajtohen, shkruhet në raportin e ZKA-së.
Tutje në këtë raport të Audimit thuhet se çështjet që ndikojnë në konkluzionin e pajtueshmërisë janë: përdorimi i procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë dhe kriteret diskriminuese në dosje të tenderit.
Sipas gjetjeve të ZKA-së, RTK kishte lidhur kontratë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim për lidhjen e kontratës për “Realizimin e dizajnit dhe grafikave për Festivalin e Këngës në RTK” në vlerë prej 10 mijë e 150 euro. Sipas ZKA-së, kjo ishte bërë me një kompani nga Shqipëria, pa dokumentuar qartë arsyetimin ligjor për shmangien e publikimit dhe konkurrencës. Ndërsa arsyetimi i zëvendësdrejtorit ishte mungesa e stafit të profilizuar për dizajnimin grafik dhe nevoja që për Festivalin e Këngës të angazhohen shërbime nga jashtë RTK-së.
Gjithashtu, në raportin e ZKA-së thuhet se RTK nuk kishte arritur të bënte zgjidhje afatgjatë ose me kohë për shfrytëzimin e veturave për nevojat e RTK-së, edhe pse kishte kontratë publike për 60 muaj. ZKA ka gjetur se pas skadimit të kësaj kontrate, institucioni kishte përdorur procedurë të negociuar për kontratën “Shfrytëzimi afatshkurtër i veturave për nevojat e RTK-së” në vlerë prej 33,900 eurosh. Kjo ishte arsyetuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm me menaxhimin jo të duhur dhe mungesën e planifikimit për këto shërbime.
Po ashtu, ZKA ka gjetur se RTK ka vazhduar kontratën për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese me kompensim në kundërshtim me zbritjet e lejuara me rregulloren për marketing.
Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit të duhur të brendshëm dhe moszbatimit të rekomandimeve të auditimit, duke mundësuar vazhdimin e kontratës me të njëjtat parregullsi.























