Policia serbe ndalon për tri orë infermieren Fetahu-Krivanjeva
RTK
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, njofton se policia serbe ka ndaluar për ta marrë në pyetje infermieren Linda Fetahu-Krivanjeva.
Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Lutfiu njofton se infermierja Fetahu u ndalua për tri orë, derisa me familjen e saj po shkonte nga Kosova në Luginë.
“Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja e cila shëroi plagët e ushtarëve të lirisë, ajo që nuk e ndaloi zërin asnjëherë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, dje, përderisa me familjen e saj po vinte nga Kosova në Luginë, u ndalua nga policia kufitare serbe për t'u marrë në pyetje. Tri orë zgjati ndalesa-intervista nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë”, ka shkruar ai.
Sipas Nevzad Lutfiu, kjo është bërë për ta dekurajuar, frikësuar, e madje është paralajmëruar se ndalesat do të vazhdojnë.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe vetë infermierja Fetahu-Krivanjeva.
"Ky veprim i qëllimshëm i shtetit serb ma dëshmoi sërish se nuk jam e mirëpritur në vendin tim të lindjes, dhe çdo kalim kufitar shndërrohet në një sfidë të vazhdueshme dhe formë presioni psikologjik ndaj meje dhe familjes”, ka shkruar ajo.
























