Ahmeti: Mosgatishmëria e institucioneve po na shtynë në protesta
BKT
Lajme

Ahmeti: Mosgatishmëria e institucioneve po na shtynë në protesta

V.S|RTKlive

Një tjetër protestë e bizneseve pritet të mbahet gjatë ditës së nesërme të cilët thonë se po kërkojnë nga institucionet reflektim mbi kërkesat e tyre për një fazë tranzicioni në procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë.

Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë e Industrisë në një intervistë për RTK-në tha se mosgatishmëria e  institucioneve për të bashkëpunuar me sektorin privat, në këtë rast me bizneset i ka sjellë para një akti të tillë.

 “Kërkesa jonë mbetet ajo që ka qenë gjithmonë të shtyhet procesi fillimisht sepse po shihet një numër i madh shkeljesh, madje së fundmi këto shkelje që ne i kemi paralajmëruar qysh nga fillimi i marsit kur vetë ZRRE-ja e bëri publik nisjen në qershor procesin e liberalizimit, tashmë i faktoi edhe vetë deklarata e BE-së sa i përket kësaj çështje. Meqë BE-ja po i jep vërejtjet e po i gjen gjitha ato shkelje që janë bërë, BE-ja është e gatshme që ta mbështetë Kosovën edhe me mjete monetare të tejkalohet ky proces, të shkojë hapa- hapa qysh kemi thënë nga fillimi, por, të njëjtën gatishmëri nuk po e gjejmë  në qeverinë e Kosovës”, tha ai.

Ahmeti, tutje tha se nga të dhënat e fundit që i kanë është se një biznes që i ka paguar në prill 10 mijë euro, tash paguan mbi 12 mijë.

“Nga të dhënat e fundit që i kemi është se një biznes që i ka paguar në prill 10 mijë e diçka euro në prill rritja e çmimit tash me faturën e majit ka tejkaluar mbi 12 mijë euro. Do të thotë po flasim mbi dy mijë euro më shumë. Llogarite tash kur të dalim edhe në treg të lirë, e i njëjti biznes do të dal në treg të lire, sa do t’i rritet atij fatura. Si mundet ai të mbajë biznesin funksional, si t’i mbajë punëtorët, po rrezikohet ekonomia e vendit” , tha ai.

Ahmeti ,shtoi se askush nuk është kundër liberalizimit të tregut, por mënyra se si është bërë nga fillimi deri më sot, sipas tij, po faktohet që ka pasur numër të madh shkeljesh.

“Nga një padi që kemi qenë ne të parët që kemi dërguar, numri i padive sipas informatave të fundit që kam, ndaj ZRRE-së ka arritur në 5. Dhe ne ende jemi duke e pritur një përgjigje nga Gjykata sa i përket edhe padisë tonë. Ne besojmë shumë që sistemi i drejtësisë do të marr një vendim të drejtë në të mirë të vendit, sepse kërkesat tona nuk e atakojnë askënd, por e shpëtojnë ekonominë nga një kolaps që rrezikon t’i ndodhë”.

Sipas tij, numri i bizneseve që kanë lidhur  marrëveshje me operatorët energjetikë sa i përket kalimit në tregun e lirë energjetik është i vogël.

“Në takimin e sotëm që kam pasur me KEK-un është raportuar se janë vetëm 3 biznese private që kanë nënshkruar deri më tani, në KESKO sillet rreth 20. Do të thotë nga 1300, janë 23deri në 25 biznese që kanë nënshkruar  kontratat me këta të dy operatorë që po ofrojnë oferta, të tjerët vazhdojnë të mbesin në një huti e amulli të madhe në këtë situatë pa pasur një përgjigje të saktë”, tha Ahmeti.


MË SHUME NGA Lajme