Krasniqi: Dokumentari `Kujtimi i Mbuluar` me rrëfime nga lufta e Kosovës
BKT
Kulturë

Krasniqi: Dokumentari `Kujtimi i Mbuluar` me rrëfime nga lufta e Kosovës

Sh.G|RTKlive

Në programin e mëngjesit në RTK, e ftuar ishte Ariana Krasniqi, autore e dokumentarit “Kujtimi i Mbuluar”, një projekt i ndjeshëm që trajton përjetimet e luftës së fundit në Kosovë përmes rrëfimeve personale.

“Koncepti i këtij dokumentari është që çdo njeri ta gjejë veten. Personi i parë është Idriz Govori, i cili rrëfen përjetimin e tij gjatë masakrës së Hallaqit, në komunën e Lipjanit. Ai është njëri nga të mbijetuarit, së bashku me Beqir Asllanin,” tregoi Krasniqi.

Ajo përmendi gjithashtu dëshminë e vajzës së tezes së saj, e cila si fëmijë shtatëvjeçare kishte parë skena tronditëse gjatë luftës: njerëz të masakruar, të vrarë. “Kam dashur që përmes saj të sjell dhimbjen dhe përjetimet e një fëmije të asaj kohe,” tha ajo.

Një tjetër dëshmi rrëqethëse është ajo e djalit të dajës së saj, i cili kujton skenën kur pa me sytë e tij vrasjen e babait të vet.

“Qëllimi i këtij dokumentari ka qenë që gjeneratat e reja ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Unë personalisht kam pasur fatin që, si fëmijë, të mos jem këtu në atë kohë, por familja jonë humbi një njeri shumë të afërt – dajën tim,” tregoi Krasniqi.

Ajo shtoi se shpesh ka marrë mesazhe kritikuese pse po flet për të kaluarën, por është e bindur se këto ngjarje nuk duhet të harrohen: “Gjithmonë kam thënë që kjo nuk duhet të harrohet dhe gjeneratat e reja duhet të dinë se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës.”


MË SHUME NGA Kulturë