Sveçla: Ekziston qasje bllokuese e partive opozitare
K. Kasumi / RTKlive
(E përditësuar) Sot për herë të 30 ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, në “RTK Prime”, i pyetur për moskonstituimin e Kuvendit, tha “është e qartë se ekziston një qasje bllokuese e partive opozitare”.
“Për çdo seancë, çdo 48 orë, ata shkelin Kushtetutën. Është vendim i Gjykatës Kushtetuese që deputetët duhet të votojnë në seancat parlamentare për, kundër apo të abstenojnë. Pra, deputeti ka të drejtë të votojë si të dojë, por jo mos të votojë”, shtoi ai.
Sveçla: Vetëvendosje, një lëvizje emancipuese që solli qytetari aktive
Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, në emisionin “RTK Prime”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kjo lëvizje ka sjellë një qytetari aktive dhe ndikim të thellë në politikën e vendit.
“Po ta shohim në retrospektivë gjithë punën e LV-së dhe të aktivistëve, është një punë jashtëzakonisht e madhe, me vështirësi, sakrifica dhe suksese. Ia ka vlejtur të jemi pjesë e një lëvizjeje emancipuese”, tha Sveçla.
Ai kujtoi se Lëvizja nisi nga një grup të rinjsh të pakënaqur me rrjedhat politike të kohës, të cilët vendosën të organizohen për të ndikuar në drejtimin e vendit.
“Ishim të bindur se duhet të bëhemi akterë kryesorë në politikën e Republikës, për të përmbushur atë që u kemi thënë aktivistëve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh Sveçla.
Po ashtu, ai tha se nuk sheh ndryshim të LV-së. “Pas çlirimit të Kosovës, në vend se të punonim për shtetformim, menjëherë na u hodhën ide të ndryshme apo orientime të këqija, ide të papranueshme për popullin tonë. Prandaj edhe sot ka probleme brenda Kushtetutës së Kosovës për shkak të Pakos së Ahtisarit”, tha Sveçla.























