Haxhiu: Letra e Kurtit nuk ishte tendencioze, LDK kishte qëndrim refuzues
E.Hoti/RTKlive
(E përditësuar) Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklarimet e zyrtarëve të LDK-së se letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka qenë joserioze dhe se nuk ka pasur tendencë për t’i afruar qëndrimet, ajo në RTK Prime tha se LDK-ja ka pasur përgjigje refuzuese.
“Edhe para se të mbahej seanca konstituive, kryeministri Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim, por është refuzuar. Ka pasur përgjigje refuzuese. Edhe letrën e dytë të kryeministrit Kurti unë nuk e kam parë qëllimkeqe ose tendencioze. Unë e kam përmendur një ditë se këta kanë qenë të gatshëm me hy në koalicion me ata të cilët i kanë akuzuar për vrasjen e aktivistëve të tyre politikë, por jo me ne për shkak të gjuhës”, tha Haxhiu.
E pyetur se pse janë në gjendje të bashkëpunojnë me partinë NISMA edhe përkundër se e kanë quajtur ministër të korruptuar, Haxhiu tha se askush mos të mendoj që duke bashkëpunuar me Vetëvendosjen do të amnistohet nga të bëmat.
“Mbi 250 dosje si qeveri i kemi dërguar në prokurori. Ato dosje kanë qenë për qeveritë e kaluara. Kushdo që është përfshirë në afera korruptive duhet të përgjigjet. Standardi që ka arritur qeveria jonë me etablua është se Kosova mundet me pas qeveri që nuk korruptohet”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi nuk e ka keqpërdorur detyrën dhe nuk është pasuruar jashtëligjshëm. “ KEK-u ka pasur fitimet më të mëdha në kohen e zotit Krasniqi”, tha Haxhiu. Gjithashtu ajo shtoi se përpjekjet për ta lidhur Vetëvendosjen me mafinë energjetike janë trillime të opozitës.
Haxhiu foli edhe për rastin e rezervave shtetërore. “Kush mund të më thotë mua se Rozeta Hajdari është e korruptuar. Rozeta Hajdari është ministre me integritetin më të lartë moral. Atyre ju ka mjaftuar me ju hy në deklarimet e pasurisë dhe me e pa se qysh janë pasurua”, tha Haxhiu..
Haxhiu: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i hapë rrugë konstituimit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është shprehur skeptike se Gjykata Kushtetuese do të mund të zgjidhë ngërçin institucional që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
“Nuk kam besim se Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi do të na japë rrugë për zgjidhje. Çështja është se nuk ka objekt”, tha Haxhiu në RTK.
Ajo theksoi se kërkesa e dorëzuar nga AAK në Kushtetuese nuk ka bazë të mjaftueshme për shqyrtim, pasi mungon një vendim i Kuvendit që do të mund të kontestohej.
“Nuk ka një vendim të miratuar nga Kuvendi që të mund të konsiderohet si objekt i ankesës për Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Haxhiu, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e bllokadës aktuale kërkon një vullnet të ri politik dhe jo vetëm ndërhyrje juridike.
“Pra ata vetëm kanë thënë që e kundërshton Komisionin për Votim të Fshehtë. Por këtu nuk ka vendim, pra nuk ka një objekt që mund të kundërshtohet. Në raste të tilla Gjykata tashmë ka krijuar praktikë. Ka thënë se nuk përgjigjet për veprimet, unë përgjigjem për vendimet dhe këtu nuk ka vendim. Unë jam e bindur që Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të papranueshme”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu: Vetëvendosje ka ndalur marrëveshje të dëmshme për vendin
Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin “RTK Prime”, ka folur për rrugëtimin 20-vjeçar të kësaj partie, duke vënë në pah sfidat, qëndresën dhe arritjet e saj ndër vite.
“Prej 2005 deri në 2010 ka qenë periudha më sfiduese, dhe pastaj më 2010 kur VV vendosi që ta shtojë aktivitetin edhe në Kuvendin e Kosovës ne kemi arritur që ta marrim 13 deputetë për herë të parë”, tha Haxhiu, duke rikujtuar sfidat e hershme siç tha ajo që përfshinin sulme e tendenca për ta shuar Lëvizjen.
Ajo foli edhe për protestat e vitit 2007, ku dy persona u vranë dhe mbi 90 të tjerë u plagosën. “Ne kundërshtonim Pakon e Ahtisarit dhe falë asaj rezistence hyri termi pavarësi, sepse ajo nuk ekzistonte fillimisht”, tha Haxhiu.
Haxhiu përmendi edhe periudhat kyçe të zhvillimit të Vetëvendosjes, nga opozita e fuqishme parlamentare në vitet 2010-2014, fitoren në Prishtinë, bashkimin e VLAN-it, e deri te periudha e qeverisjes 2020-2025.
“Po të mos ishte rezistenca popullore dhe e Vetëvendosjes kundër ‘Zajednicës’, sot do t’i vuanim pasojat. Kemi bërë përpjekje maksimale që ta ndalim edhe demarkacionin me Malin e Zi. Po ashtu ka qenë sfida me amnistimin e kriminelëve serbë”, shtoi ajo.
Sipas Haxhiut, suksesi i Vetëvendosjes është rezultat i angazhimit dhe punës së pandalshme të aktivistëve ndër vite. “Falë punës së aktivistëve, Vetëvendosje ka arritur që të jetë partia më e madhe në vend”, tha ajo.























