Asllan Bajrami kujton futjen e NATO-s në Kosovë më 12 qershor 1999
BKT
Lajme

Asllan Bajrami kujton futjen e NATO-s në Kosovë më 12 qershor 1999

E.Hoti/RTKlive

Gazetari Asllan Bajrami, i cili në vitin 1999 ishte pjesë e redaksisë së Kosovës në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), ka sjellë emocionet e raportimit të tij gjatë ditës historike të futjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Bajrami tregoi në emisionin “Info Plus” në RTK se kishte qëndruar pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, ku dokumentoi momentet e para të hyrjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë.

“12 qershori i vitit 1999 ishte një ditë historike. Ne kishim informacion se kjo mund të jetë dita e futjes së forcave tokësore nga Maqedonia. Mora masat që të mbërrij me kohë në kufirin që ndante Kosovën me Maqedoninë dhe, bashkë me operatorin Driton Ymeri, kemi vazhduar për në Bllacë. Arritëm të filmojmë futjen e helikopterëve në linjë ajrore, të cilët transportonin mjete ushtarake në tokën e Kosovës,dhe pastaj t’i bënim ato paraqitjet në pikat ku ishin grumbulluar edhe forcat britanike dhe ato franceze,” ka rrëfyer ai.

Bajrami ka kujtuar edhe emocionet e refugjatëve nga Kosova që ishin dëbuar forcërisht në Maqedoninë e Veriut dhe prisnin çlirimin.

“Ishte një emocion i veçantë. Aty në afërsi ishte edhe një kamp ku ishin sistemuar refugjatët tanë, të dëbuar forcërisht në kuadër të një projekti të spastrimit etnik që bënte Serbia në Kosovë. Njerëzit që i takonim nuk u besonin syve se në Kosovë po futeshin përmes tokës edhe forcat e NATO-s. Ky ishte një moment tepër i rëndësishëm, falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bëri për vete edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe NATO-n,” tha ai.

Bajrami tha se ndjehet i privilegjuar që, si gazetar, ka pasur rastin të raportojë këtë lajm me peshë, rëndësi dhe përgjegjësi historike.

 


MË SHUME NGA Lajme