Kurti: Me përulësi nderojmë sakrificën për çlirimin e Kosovës |LIVE
V.Th / RTKLive
(E plotësuar) Me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka organizuar një pritje shtetërore për të nderuar këtë ditë historike për vendin.
“Me respekt të thellë e përulësi nderojmë sakrificën e dëshmorëve, martirëve, invalidëve, veteranëve dhe të gjitha grave e burrave që kontribuuan për çlirimin e Kosovës”, tha mes tjerash Kurti në fjalimin e tij.
Ai theksoi se përkushtimi për drejtësi, barazi dhe progres me solidaritet mbetet orientimi i qeverisë së tij, në frymën e sakrificës së atyre që kontribuuan për lirinë.
Kurti kujtoi gjithashtu veprimet dhe vendimet e rëndësishme ndërkombëtare që mundësuan ardhjen e trupave paqeruajtëse të KFOR-it, duke e cilësuar këtë si mbyllje të një periudhe të errët të historisë së Kosovës dhe fillim të një kapitulli të ri për vendin.
"Nuk e harrojmë asnjëherë, pra, që siguria e vendit dhe territorit tonë e popullit dhe e qytetarëve pa dallim nuk mund të merret thjesht si e mirëqenë. Ajo kërkon angazhim të përhershëm nga institucionet tona shtetërore, në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë. Në këtë ditë, ne e përsërisim me vendosmëri zotimin tonë për paqe të qëndrueshme dhe progres të vazhdueshëm. Paqe kjo që mbështetet në zhvillim të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht etnisë a kombësisë, fesë apo gjinisë", deklaroi Kurti.
"Kosova jonë, Republika jonë, është vend i guximit, i shpresës dhe i perspektivës evropiane. Andaj ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë, shumë dhe mirë, që liria jonë të jetë e plotë dhe që edhe brezat e ardhshëm të mos përjetojnë atë që jetuam ne", theksoi ai.
Në pritjen shtetërore në nder të ditës së çlirimit të Kosovës, po marrin pjesë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë e mysafirë të tjerë.























