26 vjet nga çlirimi i Kosovës, kujtime dhe thirrje për nderim institucional
BKT
Lajme

26 vjet nga çlirimi i Kosovës, kujtime dhe thirrje për nderim institucional

V.Th, E.H / RTKLive

Në emisionin special të RTK-së me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, figura të njohura të UÇK-së kujtuan sakrificën, luftën dhe rëndësinë e kësaj date për kombin shqiptar. Gjeneral Kudsi Lame, Gani Krasniqi dhe Ramë Buja ndan kujtime nga përpjekjet për liri, duke theksuar nevojën për njohje dhe nderim të denjë institucional të Ditës së Çlirimit.

Gjeneral Kudsi Lame, komandant i Ushtrisë Shqiptare në zonën e Kukësit dhe simbol i mbështetjes së pandalshme nga Shqipëria, përcolli një mesazh të fuqishëm për rëndësinë kombëtare të kësaj dite.

“Urime Televizionit të Kosovës që, më në fund, dëgjova të thuhet se sot, më 12 qershor, është dita e çlirimit. Ju uroj sinqerisht nga zemra që, mbi politikat, arritët ta përcaktoni këtë datë si "Ditën e Çlirimit të Kosovës" dhe si të tillë ta nderoni në të gjitha hapësirat e Kosovës dhe nga gjithë kombi shqiptar,” deklaroi Gjeneral Lame.

Ai theksoi se më 12 qershor forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zbritën nga malet në qytete dhe qendra të banuara, duke projektuar një drejtim të ri për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje dhe të gjithë kombit.

“Për mua nuk ka pasur dy ushtri, ka qenë një Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Të gjithë të tjerët kanë qenë ndihmës ose pjesë e saj në një mënyrë apo tjetër. Sepse, nëse do të ecej me dy ushtri, shumë gjëra do të kishin ecur për keq. Kosova është vazhdimësi e tokave shqiptare dhe, si e tillë, ka qenë në gjirin e Shqipërisë, në prehrin e saj,” tha Gjeneral Lame.

Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjesht një forcë e brendshme: “Ishte një ushtri çlirimtare që kishte shtrirë degët e saj në të gjithë globin, jo vetëm në Shqipëri, por në Shqipëri kishte bazën, prehrin, djepin ku do të lëkundej, do të përkundej, do të rritej, do të merrte frymë, do të organizohej, do të furnizohej dhe do të përgatitej për të shkuar në vijat e frontit.”

Gjenerali Lame u shpreh me bindje se Dita e Çlirimit duhet të njihet dhe të nderohet zyrtarisht, jo vetëm si një datë historike për Kosovën, por si një moment kyç i përbashkët për gjithë kombin shqiptar.

Lame: Kosova dhe Shqipëria i kanë mbetur borxh Divizionit të Kukësit

Gjeneral Kudsi Lame theksoi se Kosova dhe Shqipëria i kanë mbetur borxh Divizionit të Kukësit, i cili luajti një rol jetik në ndihmën ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria i kanë ngelur borxh Divizionit të Kukësit. Të gjithë luftëtarët e atij divizioni nuk janë sot veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nuk janë as veteranë të ushtrive çlirimtare të Shqipërisë ndër vite. Janë thjesht luftëtarë që kanë luftuar – por kanë luftuar në një luftë që, siç është deklaruar atëherë nga instancat shtetërore të Shqipërisë, nuk na ishte shpallur nga Millosheviqi. Pavarësisht se ishte luftë, shteti shqiptar thoshte se ajo nuk ishte shpallur për ne – ky ishte justifikimi,” deklaroi Lame.

Gjenerali theksoi se nuk e ndien veten si ndihmës nga përtej kufirit, por si pjesë e drejtpërdrejtë e luftës:

“Unë nuk ndihem as sot një pjesë ndihmëse përtej kufirit, por ndihem si pjesë e asaj lufte, sepse realisht ashtu ka qenë. Ashtu kam funksionuar. Nuk mund të funksiononte ndryshe.”

Nga burgjet te lufta, Gani Krasniqi: Kujtime nga sulmi i parë i UÇK-së

Njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së, Gani Krasniqi, në emisionin special  me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, rrëfeu për angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kur na liruan nga burgu, gjetëm një realitet të ri. Kur më liruan, djemtë e mi kishin kryer shkollën e mesme dhe ata ishin nisur në kurbet, sepse të rinjtë ktheheshin në arkivole. Ne u inkuadruam në Lidhjen Demokratike, si një lëvizje ku ishin bërë disa punë të mira, si pajtimi i gjaqeve dhe organizimi i referendumit. Disa nga shokët tanë që ishin në LDK u inkuadruan edhe në këshillat e financave,” tregoi ai.

Ai tregoi se kishte lidhje edhe me disa shokë jashtë vendit, të përfshirë në Lëvizjen Popullore. “Shfrytëzonim të gjitha mundësitë për t’u përgatitur, sepse e dinim që liria nuk dhurohet, ndërsa pushtimi kishte ardhur si rezultat i dhunës. Nga ai organizim, që ishte Lidhja Demokratike, dega në Malishevë, nga 15 anëtarë që ishin, nëntë prej tyre jemi organizuar dhe i kemi vënë të gjitha segmentet në shërbim të luftës,” tha ai.

Krasniqi rrëfeu gjithashtu për sulmin e parë mbi forcat serbe në Malishevë.

“Dihet mirëfilli se pas rastit të Jasharajve, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars, u organizuan zgjedhjet e lira në një kohë kur në një pjesë të Kosovës po masakroheshin dhe terrorizoheshin njerëzit, por edhe rezistohej. Ne vinin edhe në Prishtinë me detyrë për të qenë në shërbim të luftës dhe gjithmonë përmes segmentit të financave. Me një nga bashkëpunëtorët, Skënder Kastratin, takoheshim dhe e pyesja për bacën Adem si ishte. Ai më thoshte se ishte tmerrësisht i shqetësuar. Dua të vij te sulmi i parë i bërë. Pse thotë bacë? Sepse Drenicën e lamë prapë vet, pasi ishin organizuar zgjedhjet. Më 26 prill 1998 u bë sulmi i parë prej njësitit “Lumi” dhe më pas kemi thirrur edhe pesë shokë të njësitit “Pllumi”. Prej 26 mars, nga Gryka e Llapushnikut,deri në Kievë, faktikisht ishte në kontrollin tonë,” rrëfeu ai.

Ai foli edhe për zonën e lirë në Malishevë. “Ka qenë zonë furnizuese për të gjitha zonat . Aty janë prodhuar uniforma edhe për zonat tjera. Është prodhuar edhe emblema e UÇK-së, çizme ushtarake, dhe është prodhuar armatim i rëndë. Aty janë prodhuar autoblinda dhe letërnjoftime ,” përfundoi Krasniqi.

Buja: Liria e Kosovës ishte ëndërr e çdo shqiptari, por a po dimë ta nderojmë si duhet?

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramë Buja, reflektoi për rrugëtimin çlirimtar dhe mungesën e nderimit institucional të kësaj dite si festë shtetërore.

“Ëndërr e kemi pasur lirinë e Kosovës, të gjithë ata që e duan kombin, atdheun dhe tërësinë territoriale të gjithë Shqipërisë me Kosovën bashkë,” deklaroi Buja.

Ai rrëfeu për momentin historik kur u bë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së:

“Jam bërë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 13 nëntor 1998, bashkë me Fatmir Limajn. Për mua ishte diçka e jashtëzakonshme – një nder i madh, që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Të jesh pjesë e atij shtabi, që udhëhiqte luftën çlirimtare, ishte një mrekulli për mua.”

Duke folur për ecurinë e luftës, Buja theksoi suksesin unik të UÇK-së. “Ne ishim guerilja më e suksesshme – jo se e kemi thënë vetë, por kështu e kanë vlerësuar anglezët, francezët dhe amerikanët. Guerilja më e suksesshme e shekullit XX, që arriti objektivin përmes një lufte efektive brenda 18 muajsh. Kjo është arritje historike.”

Megjithatë, Buja shprehu shqetësimin e tij për mungesën e vlerësimit institucional të kësaj date.
“A po dimë ta çmojmë, ta vlerësojmë dhe ta nderojmë këtë gjë? Kam dyshimet e mia. Nuk ka asnjë shenjë të vetme askund që kjo të shihet si Dita e Çlirimit të Republikës së Kosovës”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme