Izraeli sulmon Iranin
BKT
Lajme

Izraeli sulmon Iranin

Shkumbin Osmanaj / RTKlive

Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Iran, duke goditur objektiva të ndërlidhura me programin bërthamor të vendit. Sulmet kanë ngritur ndjeshëm rrezikun e një lufte të gjithanshme mes dy rivalëve të vjetër të Lindjes së Mesme.

Deri më tani, ky duket të jetë sulmi më i madh që Irani ka përjetuar që nga lufta me Irakun në vitet ’80. Mediat raportojnë për disa objekte të goditura në zona të ndryshme të vendit.

Sipas televizionit shtetëror iranian, udhëheqësi i Gardës Revolucionare, gjenerali Hossein Salami, dyshohet se ka humbur jetën – një zhvillim që, nëse konfirmohet, do të përbënte një goditje të rëndë për udhëheqjen teokratike të Teheranit dhe do të thellonte përshkallëzimin e konfliktit. Raporti gjithashtu përmend vdekjen e një tjetër zyrtari të lartë të Gardës dhe dy shkencëtarëve bërthamorë.

Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se sulmi ishte i domosdoshëm për të parandaluar një kërcënim të afërt nga Irani, i cili sipas tyre po përpiqej të zhvillonte bomba bërthamore në fshehtësi. Ata kanë paralajmëruar se hakmarrja e Teheranit mund të përfshijë edhe sulme ndaj civilëve në Izrael.

Në Uashington, administrata Trump, e cila më herët kishte paralajmëruar Izraelin kundër një sulmi mes negociatave që po vazhdonin, tha se nuk është e përfshirë në sulm dhe paralajmëroi Iranin që të mos ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj interesave apo personelit amerikan.


MË SHUME NGA Lajme