Kurti: Komuniteti protestant dha një kontribut gjithëpërfshirës në Kosovë
BKT
Lajme

Kurti: Komuniteti protestant dha një kontribut gjithëpërfshirës në Kosovë

N.M. /RTKlive

(e plotësuar) Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pranishëm në manifestimin e 40-vjetorit të themelimit të Kishës së Parë Ungjillore Shqiptare në Prishtinë, tha se gjatë katër dekadave, Kisha protestante ka qenë një vend besimi, një vatër shprese, një hapësirë solidariteti dhe qendër solidariteti në bashkëjetesën e shoqërisë sonë.

“Viti 1985 shënon hapjen zyrtare të Kishës protestante me emrin Bashkësia e Popullit të Zotit, ndonëse veprimtaria ka një historik në vendin tonë, që zanafillën e ka në shekullin e kaluar, prandaj edhe lëvizja protestante është më e moshuar se kaq,” tha ai.

Kurti shtoi se që nga themelimi e deri më sot, komuniteti protestant ka konsoliduar praninë e vet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën shpirtërore, arsimore, shoqërore, kulturore dhe humanitare të shumë qytetarëve në Kosovë.

“Gjatë këtyre viteve Kisha protestante ka qenë një zë i paqes shoqërore, i dinjitetit shpirtëror dhe i shërbimit popullor për të mirën e përbashkët. Kjo përputhet me vizionin e shtetit tonë për një shoqëri demokratike, të zhvilluar, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse,” tha ai.

Kurti shtoi se në Kosovë, diversiteti kulturor dhe fetar përbëjnë një ndër pasuritë dhe shtyllat themelore të shtetit tonë gjithëpërfshirës dhe demokratik.

Shënohet 40-vjetori i Kishës së Parë Ungjillore Shqiptare në Prishtinë

Në Prishtinë po shënohet një ngjarje historike për komunitetin protestant, 40-vjetori i themelimit të Kishës së Parë Ungjillore Shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo kishë u themelua në vitin 1985 dhe shënon një moment të rëndësishëm në historinë e besimit ungjillor në Kosovë.

Ngjarja po organizohet nga Kisha Protestante Ungjillore - Bashkësia e Popullit të Zotit në Prishtinë.

Shënimi i kësaj ngjarja do të zgjasë tri ditë, nga datat 13 -15 qershor 2025, ndërsa ceremonia qendrore po mbahet sot, në ora 13:00, në Emerald në Prishtinë.

Në këtë manifestim po të marrin pjesë liderë të shquar nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe shumë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme të jetës publike, të cilët kanë kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

 

Kisha Bashkësia e Popullit të Zotit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke qenë një shtyllë e qëndrueshme në periudha sfiduese dhe një partner me rëndësi të veçantë në zhvillimin e jetës publike.

“Ajo ka punuar me përkushtim në fusha thelbësore si arsimi, ndihma humanitare, ndërtimi i paqes, pajtimi ndërmjet komuniteteve dhe përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në skenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim të kësaj kishe.

 


MË SHUME NGA Lajme