Nisin procedurat për largimin me forcë të shtetasit N.V nga Kosova
N.M. /RTKlive
Policia e Kosovës njofton se ka nisur procedurat për largimin me forcë të shtetasit N.V., pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për humbjen e shtetësisë me privim.
N.V., njëkohësisht shtetas i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë serbe, konsiderohet se ka vepruar në kundërshtim me sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Drejtoria për Migrim dhe të Huaj ka nisur zbatimin e procedurave ligjore për largimin e tij nga territori i vendit, dhe ka lëshuar vendim për largim me forcë.
Deri në realizimin e plotë të këtij vendimi, ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.
Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë zbatimin e ligjit dhe të gjitha vendimeve të institucioneve të shtetit, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, ka deklaruar më herët, Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i MPB-së.























