Sulmet mes Iranit e Izraelit vazhdojnë, Trump bisedë telefonike me Putinin
Bardhyl Bajrami /RTK
Presidenti amerikan Donald Trump ka biseduar sot përsëri me telefon me presidentin rus Vladimir Putin për situatën në Lindjen e Mesme. Lufta mes Iranit e Izraelit duhet të përfundon ashtu siç duhet edhe ajo mes Rusisë e Ukrainës, thuhet t’i ketë thënë presidenti Trump. Ndërkohë sulmet mes Iranit dhe Izraelit kanë vazhduar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka biseduar me telefon për 50min me presidentin e Rusisë Vladimir Putin me të cilin ka biseduar për tensionet aktuale mes Iranit dhe Izraelit, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Putin ka telefonuar sot për të ma uruar ditëlindjen por më e rëndësishmja për të folur për Iranin, ka shkruar Trump. Ai, sikurse dhe unë, mendon se lufta mes Iranit e Izraelit duhet të përfundojë, ashtu siç i thashë se edhe lufta e tij duhet të përfundon, ka thënë presidenti Trump.
E zyrtarët iranian kanë njoftuar për vrasjen e 31 personave në veriperëndim të vendit nga sulmet e Izraelit dhe plagosjen e 55 personave tjerë. 30 nga të vrarët ishin personel ushtarak ndërsa njëri ishte pjesëtarë i Gjysmëhënës së Kuqe.
Ndërkohë sa i përket situatës në terren, Irani ka njoftuar se Izraeli ka sulmuar dy burime të mëdha naftës në provincën jugore të vendit. Kjo është hera e parë që raportohet për sulme në burimet iraniane të naftës.
E kryeministri izraelit, ka publikuar në orët e mbrëmjes edhe një video tjetër, por kësaj radhe ka folur në gjuhën angleze, me gjasë për t’iu drejtuar audiencës amerikane.
Netanjahu i ka uruar presidentit Trump fillimisht ditëlindjen. Ndër të tjera Netanjahu ka thënë se Armiku ynë është armiku juaj. Duke e bërë këtë që po e bëjmë, ne po merremi me diçka që do të na kërcënojë herët a vonë.
E presidenti i Francës ka biseduar me presidentin e Iranit Masoud Pezeshkian. Macron i ka bërë thirrje Iranit që të përmbahet për të parandaluar eskaliumin e mëtejmë të situatës dhe që të kthehet në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar për marrëveshjen për programin bërthamor.
Pezeshkian i ka thënë presidentit francez se Irani nuk do t’iu kthehet bisedimeve derisa vazhdojnë sulmet e Izraelit.
Kujtojmë se bisedimet e radhës ishin planifikuar për të dielën por që më herët ndërmjetësi Badr Albusaidi, ministri i jashtëm i Omanit ka njoftuar për anulimin e tyre.























