‘Chatroom’ së shpejti premierë në Teatrin e Gjilanit
BKT
Kulturë

‘Chatroom’ së shpejti premierë në Teatrin e Gjilanit

K. K. / RTKlive

Premiera e shfaqjes “Chatroom”, me regjisor Erson Zymberi dhe autor Enda Walsh, do të jepet më 21 dhe 22 qershor 2025 nga ora 20:00 në Teatrin e Gjilanit.

Në njoftimin e publikuar në faqen e teatrit, bëhet me dije se kjo shfaqje është një dramë therëse dhe urgjente që eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne, në një kohë kur bisedat virtuale zëvendësojnë kontaktin njerëzor, dhe vetmia shpesh maskohet pas ekraneve të ndritshëm.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh, dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Në thelb, kjo shfaqje është një pasqyrë e gjeneratës digjitale e mbingarkuar me informacione, por e varfër në ndjeshmëri. Është një thirrje për ndërgjegjësim: për të kuptuar fuqinë e fjalës, për të zbuluar përgjegjësinë që mbart komunikimi, qoftë ai i shkruar apo i heshtur.

Chatroom është një dramë që na thërret të shohim më thellë përtej ekraneve, përtej maskave, përtej heshtjes.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli, Drin Berisha.


MË SHUME NGA Kulturë