Përurohet hapja e zyrës rajonale të RTK-së në Pejë
V.S/ RTKlive, K.K/RTKlive
(E përditësuar) Radio Televizioni i Kosovës ka hapur Zyrën Rajonale në qytetin e Pejës. Zyrtarizimi me zbulimin e pllakës në objektin e kësaj zyre u bë sonte, me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës së Pejës dhe menaxhmentit të RTK-së, që përkon me ditën kur kjo komunë feston edhe 26-vjetorin e çlirimit.
Drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, në një intervistë të drejtpërdrejtë nga Peja, pas zbulimi të pllakës së zyrës rajonale të RTK-së, tha se ky ka qenë projekt i para një viti. Ai theksoi se është në interesin e veçantë të RTK-së që të jetë afër qytetarëve.
“Kjo zyrë ka qenë si projekt para një viti, e kemi filluar me disa grupe pune. Është në interesin e veçantë të RTK-së që të afrohet afër qytetarit; në këtë rast, zyra rajonale e Pejës do të përfshijë të gjitha komunat e Dukagjinit. Për ne është një hap përpara drejt zhvillimit edhe teknologjik, të cilin e kemi si financues kryesor JICA-n japoneze. Shfrytëzoj rastin të falënderoj JICA-n japoneze dhe Komunën e Pejës për këtë objekt, por edhe për pajisjet që do të instalohen brenda këtij viti”, tha Gërvalla.
Gërvalla, si drejtor i televizionit, ka ndarë detaje se si do të funksionojë zyra e RTK-së në Pejë.
“Kjo zyrë rajonale do ta ketë një studio të hapur në ballkonin e kësaj ndërtese dhe po ashtu edhe zyrën profesionale të studios që do të jenë të gjitha pajisje japoneze të standardeve më të larta. Ne jemi vazhdimisht në përpjekje për ta zhvilluar RTK-në në kanalet e veta, po ashtu njëkohësisht jemi duke vepruar të hapim zyra rajonale në qytetet kryesore të Kosovës. Kjo është zyra e tretë rajonale pas asaj të Mitrovicës e Prizrenit. Peja sot ka RTK-në më afër; dikur, në kohën e Televizionit të Prishtinës, ka pasur zyrë të tillë rajonale që kanë mbuluar të gjitha ngjarjet në këtë rajon. Jemi të kënaqur që RTK do të jetë pranë çdo ngjarje politike, kulturore e edhe atyre të fatkeqësive, e urojmë të mos ketë asnjëherë, por duke ditur se rajoni i Dukagjinit i ka lumenjtë më të mëdhenj që ka Kosova, shpeshherë kemi pasur edhe probleme të fatkeqësive natyrore, e do të ishte një informacion i jashtëzakonisht i rëndësishëm nëse ne jemi të parët pranë lajmit”, tha Gërvalla.

Xhenet Syka: Hapja e Zyrës Rajonale të RTK-së në Pejë ka rëndësi të veçantë për qytetin
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka, theksoi se hapja e Zyrës Rajonale të RTK-së në Pejë ka rëndësi të veçantë për qytetin. Ajo e përshëndeti këtë ngjarje si një moment të shumëpritur, duke shprehur besimin se kjo iniciativë do të sjellë informacione të vlefshme dhe përmbajtje cilësore për qytetarët e Pejës.
“E kemi pritur me shumë padurim këtë moment dhe besoj se pritja do të shpërblehet me informacione të vlefshme dhe përmbajtje cilësore, që do të ndihmojnë në zbardhjen e një periudhe të errët mediale në Pejë,” tha ajo në emisionin "Pasdite" në RTK.
Syka e konsideroi hapjen e kësaj zyre si një dhuratë të jashtëzakonshme për qytetin, veçanërisht në ditën e çlirimit të Pejës. Ajo shtoi se qytetarët tani do të kenë mundësinë të shohin ambientet ku do të zhvillohet një jetë e re mediale në komunën e Pejës. 
(16:51) RTK zyrtarizon zyrën e tretë rajonale
Pas komunave të Prizrenit e të Mitrovicës, RTK së shpejti do ta hapë edhe zyrën e tretë rajonale, përkatësisht atë të Pejës. Ekipi i RTK-së që do të përbëhet nga gazetarë e kameramanë, do t`i mbulojë të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet në rajonin e kësaj komune, si Istog, Klinë, Deçan e Junik.
Zyrtarizimi me vendosjen e pllakës në objektin e kësaj zyre do të bëhet në orën 18:00, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të komunës së Pejës dhe menaxhmentit të RTK-së, që përkon me ditën kur këto komuna festojnë edhe 26-vjetorin e çlirimit. Sikurse zyrat rajonale të RTK-së në Prizren e Mitrovicë, edhe zyra rajonale në Pejë hapet falë ndihmës nga JICA japoneze.
Derisa kjo organizatë vazhdon ta ndihmojë RTK-në në aspektin teknik, komuna e Pejës, sikurse edhe dy komunat e tjera, ka ndihmuar në asketin infrastrukturor. Kjo do të thotë se funksionimi i Zyrës rajonale të RTK-në në Pejë nuk do të ketë probleme financiare sa u përket shpenzimeve logjistike si qiraja apo shërbime të tjera.
Sipas projektit të JICA-s japoneze, pritet që zyra të funksionalizohet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër.























