Dështimi i 33-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës
M.P&Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar, ora 10:20) Për herë të 33-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 100 deputetët që ishin në sallë, 51 votuan për, 1 votë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Edhe në vazhdimin e sotëm sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 19 qershor, në orën 10:00.
Përpjekja e 33-të, pas pak nis vazhdimi i seancës
Pas pak minutash pritet të nisë vazhdimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Limaj: Kjo klasë politike nuk e meriton besimin e qytetarëve
Para nisjes së seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj nga NISMA Socialdemokrate ka thënë se kjo klasë politike nuk e meriton besimin qytetar. Ka shtuar se ngjarjet ndërkombëtare dhe tensionet globale janë alarm për përshpejtimin e krijimit të institucioneve.
“Nëse e lejojmë që ky jo seriozitet që çdo dy muaj të shkojmë në zgjedhje, të mos krijohen institucionet, ju nuk keni aftësi për t’u ulur dhe bërë marrëveshje politike, atëherë krejt çka mund të them është se nuk meritojnë besimin e qytetarëve të Kosovës, po flas për klasën politike”, ka thënë ai.
Rashiqi thotë se ndjehet keq: Po vijmë pa bërë asgjë
Deputeti Nenad Rashiq, ka theksuar se po ndjehet keq pasi po shkojnë në seanca çdo 48 orë, pa bërë asgjë. Ai ka deklaruar se duhet të ketë një marrëdhënie midis partive politike, pasi sipas tij, ka komplikime të cilat nuk janë të njëanshme.
“Roli i Amerikës është me rëndësi. Na duhet një stimulim nga administrata amerikane. Po ndjehem keq sepse po vijmë dhe nuk po bëjmë asgjë, mos mendoni se asnjë prej nesh ndihet komod duke ardh për çdo 48 orë, ne po ndjehemi keq, por ka komplikime të cilat nuk janë të njëanshme. Duhet të funksionoj një marrëdhënie anasjelltas, nuk mundemi vetëm ne, ose vetë VV-ja por edhe disa akterë të tjerë që janë të kyçur brenda procesit. Është tek ne, jo tek administrata amerikane, edhe pse e mbështesim”, ka deklaruar Rashiqi.
Murati: Deputetët po shkelin obligimin kushtetues
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka theksuar partitë duhet të reflektojë dhe të përmbushë detyrimin kushtetues për të votuar në seancat parlamentare.
“Janë mbi 20 seanca që opozita nuk voton, duke mos ushtruar vullnetin e tyre të lirë as për apo kundër. Presim që opozita të reflektojë, obligimin kushtetues që është votimi, siç e dini Gjykata Kushtetuese deputetët në seancën konstituive janë të obliguar të votojnë. Vullneti i tyre i lirë është që të votojnë kundër apo abstenim. Kemi tashmë mbi 20 seanca që deputetët e opozitës nuk votojnë dhe nuk ushtrojnë obligimin e tyre kushtetues”, ka theksuar Murati.
Peci: Të gjithë duhet t’i thirrim arsyes për nevojën që të kemi institucione
Deputeti, Faton Peci, ka bërë thirrje për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kosova duhet t’i themelojë institucionet sa më parë. Një nga arsyet është se në procesin zgjedhor të 9 shkurtit Kosova i ka dhënë besimin më të madh në histori një subjekti politik dhe një koalicion në krye të cilit e ka drejtuar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Nuk ka pasur asnjëherë në historinë e Kosovës personalitet që ka marrë besim më të madh qytetar se Albin Kurti me datën 9 shkurt. Të gjithë duhet t’i thirrim arsyes për nevojën që të kemi institucione, që të kemi një qeveri të mandatuar nga Kuvendi dhe të kemi konstituimin e Kuvendit sa më parë”, ka theksuar ai, para nisjes së vazhdimit të seancës.
Tahiri: Kosova sa më shpejt të ketë një qeveri të re
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se Kosova duhet sa më shpejt të sigurojë formimin e një qeverie të re dhe të mos vazhdojë më me Albin Kurtin në krye të saj. Sipas tij, kjo duhet të ndodh për shkak të një rekord të dëmshëm që ka Kurti në raport me administratën e parë të Trump.
“Kosova duhet që sa më shpejt të sigurohet që të ketë një qeveri të re dhe të mos vazhdojë më tutje Kurti. Kurti ka një rekord të dëmshëm në raport me administratën e parë të Trump. Nëse deri sot kemi pasur dyshime në atë se a duhet të vazhdojë apo jo, pavarësisht që ka dalë si parti në zgjedhje, paralajmërimi i Trumpit na dërgon një mesazh të qartë se duhet të angazhohemi maksimalisht të gjitha partitë tjera që kemi qenë në opozitë, vendit t’i japim një qeveri të re pa përfshirjen e Albin Kurtit dhe të VV-së. Përfshirja e VV-së në raport me administratën e Trumpit do t’i bëjë dëm vendit tonë”, ka thën ai.
Balje: Të kalohen inatet politike
Deputetja Duda Balje ka thënë se duhet tejkaluar inatet politike, për konstituimin e institucioneve vendore.
“Unë nuk e besoj se dikush ka vullnet për ta ndihmuar Kosovën nëse ne nuk e bëjmë këtë”, ka thënë ajo.
“Veç të kalohen inatet politike, mendoj se nëse ka vullnet të mirë mund të kalohen”, ka thënë Balje.
Sot përpjekja e 33-të për konstituimin e Kuvendit
Për herë të 33-të, deputetët do të tentojnë sot të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri tash, në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të dielën, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.
Serish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 45 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka akuzuar deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vazhdimit të angazhimeve si kryetar i ekzekutivit, ai deklaroi se deputetët po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, me referencë te bojkotimi i votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Unë çdo herë shkoj për ta konstituuar Kuvendin. Ata që vijnë, por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Sipas bindjes sime, pjesëmarrja në seanca dhe bojkotimi i votimit është sjellje e papërgjegjshme politikisht dhe shkelje e Kushtetutës juridikisht,” tha ai.
Por Kurti është akuzuar vetë për një shkelje të tillë, pasi është betuar si deputet dhe njëkohësisht vazhdon të marrë vendime nga zyra e kryeministrit. Sipas Ligjit për Qeverinë, njohës të fushës kanë theksuar se ai nuk mund të mbajë të dyja postet njëkohësisht.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar përsëri. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se Kurti e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese.
“Albin Kurti sot ka guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që vetë e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’?! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën,” ka shkruar ajo.
Megjithatë, Kurti me vendosmëri pohoi se do të vazhdojë detyrën e tij si kryeministër në detyrë, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.























