Promovohet ‘Koha e prerë’ e Hotit në Kroaci për Çlirimin e Kosovës
BKT
Kulturë

Promovohet ‘Koha e prerë’ e Hotit në Kroaci për Çlirimin e Kosovës

M.P. / RTKlive

Libri “Koha e prerë” e autorit Rexhep Hoti është promovuar në Zagreb, në organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci dhe Shoqatës së Gruas Shqiptare “Drita” për nder të Çlirimit të Kosovës.

“Vendi i përzgjedhur për këtë promovim nuk ishte rastësor: salla ku u mbajt ceremonia ndodhet në zemër të qytetit të Zagrebit, aty ku dikur vepronte dhe nga ku u brumos albanologu i shquar Milan Šufflay, një figurë që mishëron lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve. Kjo i dha ngjarjes një dimension të veçantë simbolik, duke e bërë atë jo vetëm një akt përkujtimi e nderimi, por edhe një urë lidhëse të trashëgimisë kulturore dhe të vlerave të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.

Për librin e Hotit folën ambasadori Martin Berishaj, i cili vuri në pah rëndësinë e këtij botimi për memorien kolektive të popullit shqiptar; e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Alma Kasa dhe këshilltarja speciale në MPJ të Kroacisë, Ermina Lekaj-Perlaskaj.

“Koha e prerë’ është më shumë se një kronikë e një periudhe dramatike të historisë së Kosovës; është një rrëfim i thellë personal dhe kolektiv, që përmes analizës, reflektimit dhe kujtesës, hedh dritë mbi përpjekjet e popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe identitet. Në mënyrë të veçantë, gjatë diskutimeve u ndalua tek rrugëtimi politik, intelektual dhe filozofik i eruditit Ukshin Hoti, një nga figurat më emblematike të mendimit politik shqiptar, i cili zë një vend të rëndësishëm në këtë botim”, vazhdon njoftimi i ambasadës.


MË SHUME NGA Kulturë