Rushiti: Krimi i dhunës seksuale si strategji e luftës duhet të ndërpritet
BKT
Lajme

Rushiti: Krimi i dhunës seksuale si strategji e luftës duhet të ndërpritet

Visar Shatrolli/RTK

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) po mban panel diskutimi në shënimin e 19 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së tha se kjo ditë na fton të reflektojmë jo vetëm për të kaluarën. “Fatkeqësisht edhe në 2025 kur po shënohet kjo ditë, dhuna seksuale si armë e luftës po gjen zbatim. Krimi i dhunës seksuale si strategji e luftës duhet të ndërpritet”, tha Rushiti.

Ajo tha se kanë zgjedhur të dëgjojnë histori të të mbijetuarve, sepse, siç tha ajo, koha nuk i shëron plagët e të dhunuarve seksual gjatë luftës.

Rushiti tha se trauma nuk mund të kufizohet kurrë në afate ligjore, pasi sipas saj, çdo kufizim i tillë rrezikon procesin e shërimit dhe e vonon drejtësinë për të mbijetuarit.

Më pas, u shfaqën video mesazhe fuqizuese të vetë të mbijetuarve, të cilët sfiduan heshtjen duke kërkuar njohje, mbështetje dhe drejtësi pa afat. Zërat e tyre vunë në pah se koha nuk e shëron plagën nëse institucionet nuk e shoqërojnë me veprime konkrete.

Më tej, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vlerësoi punën e QKRMT-së dhe partnerëve, duke theksuar se falë këtij angazhimi kemi sot shërbime cilësore, lidership empatik dhe transformim të agjendës së të mbijetuarve — “shërimi nuk ka orar”.

Gjithashtu, Vanesa Sulimani e mbijetuar dytësore trajtoi rëndësinë e traumës ndër breza, duke theksuar se kufizimi i traumës në aspektin kohor mohon pasojat që ajo lë te brezat e rinj dhe rrezikon t’i lërë ata pa mbështetje.

Tutje në panel, përfaqësues të QKRMT, organizatat partnere dhe Ramadan Nishori — vetë i mbijetuar, diskutuan sfidat dhe nevojat reale të të mbijetuarve, duke kërkuar heqjen e afatit për aplikim për njohjen e statusit. Fjalimi i Ramadanit, emocional dhe fuqizues, dëshmoi se dinjiteti dhe qasja pa kufizime kohore janë kusht për shërim të vërtetë.


MË SHUME NGA Lajme