DASH mbështet programin për trajnimin e gazetarëve në RTK
RTK
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve akademike, në Radiotelevizionin e Kosovës ka nisur zbatimi i programit “Fulbright Specialist”.
Profesori amerikan Anthony Adornato, ekspert i njohur në fushën e mediave dhe komunikimit, tashmë ka filluar trajnimin me ekipet profesionale të RTK-së, në kuadër të projektit “Trendet e reja në media dhe komunikim”, i mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Bordit për Shkëmbime Arsimore SHBA-Kosovë dhe Qeveria e Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozi, duke shprehur mirënjohjen e thellë për këtë program të themeluar dhe mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, falënderoi profesorin Adornato për kontributin e tij në profesionalizimin e mëtejmë të stafit të RTK-së.
Ndërkohë, drejtori i Televizionit, Rilind Gervalla, theksoi se pavarësisht mungesës së stafit të ri në moshë, RTK po bën një punë të shkëlqyer në informimin e publikut, përmes përmbajtjeve që përgatiten nga stafi i saj në përputhje me trendet më të reja në media.
Nga ana tjetër, profesori Anthony Adornato u shpreh i impresionuar me mikpritjen dhe entuziazmin që ka vërejtur tek stafi i RTK-së për të mësuar dhe për t’u përshtatur me zhvillimet e reja në fushën e komunikimit dhe medias.
Programi “Fulbright Specialist” është pjesë e programit më të gjerë Fulbright, i themeluar në vitin 2001 nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Ky program ofron mundësi bashkëpunimi afatshkurtër për profesorë dhe profesionistë amerikanë me institucione akademike dhe mediale në mbarë botën.
Sipas përfaqësuesve të menaxhmentit të RTK-së, ky bashkëpunim përbën një shembull të qartë të përkushtimit të transmetuesit publik për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mëtejmë të RTK-së.
























