KPK i reagon Berishës, deklarimet i quajnë fyese e tendencioze
BKT
Lajme

KPK i reagon Berishës, deklarimet i quajnë fyese e tendencioze

V.S|RTKlive

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj deklarimeve të avokatit, Besnik Berisha që njëherësh është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës. Ata i kanë quajtur këto deklarime fyese e tendencioze ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) shprehin shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me deklarimet publike të fundit të avokatit Besnik Berisha, të cilat janë bërë jashtë çdo kuadri ligjor. Deklarimet e tij fyese dhe tendencioze ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit përbëjnë ndërhyrje të papranueshme në një proces hetimor dhe përpjekje të drejtpërdrejtë për të cenuar imazhin dhe pavarësinë e sistemit prokurorial në vend”, thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu, këto institucione e kanë dënuar edhe gjuhën që sipas tyre avokati Berisha e ka përdorur  në lidhje me arrestimin e zyrtarëve policor.

“Në mënyrë të veçantë, dënojmë gjuhën e përdorur në lidhje me rastin e arrestimit të zyrtarëve policorë – një rast që tashmë është duke u trajtuar. Deklarata e avokatit Berisha, në të cilën akuzon prokuroren e çështjes për “kryerje të krimit”, është jo vetëm e pabazë, por përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj punës profesionale dhe integritetit të prokurorëve.

KPK dhe ZKPSH thonë se avokati Berisha, duke mbajtur pozitën e Kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, bart një përgjegjësi të shtuar për të ruajtur etikën profesionale “dhe për të mos e shfrytëzuar këtë pozitë për sulme personale dhe diskreditim të institucioneve të drejtësisë”, thuhet aty.

Kanë kërkuar nga avokati Berisha dhe të gjithë aktorët relevantë që të përmbahen nga veprime dhe deklarime që mund të ndikojnë në pavarësinë dhe profesionalizmin e punës së Prokurorisë së Shtetit, si dhe të shmangin gjuhën fyese dhe denigruese që nuk i shërben drejtësisë, transparencës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

 

 


MË SHUME NGA Lajme