Faton Peci kandidat për kryetar të Mitrovicës
M.M./ RTKlive
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Partisë Guxo për kryetar të Mitrovicës. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet fuqishëm kandidaturën e tij pryetar të komunës së Mitrovicës.
Në një postim në “Facebook” bëhet e ditur se në mbledhjen e mbajtur sot kryesia e qendrës, drejtuar nga kryetari i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Faton Pecit nga Partia Guxo për kryetar të komunës.
“Me mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar nga Lëvizja, Faton Peci vjen si zgjidhja më e mirë për Mitrovicën. Ai nuk është vetëm një emër i njohur për integritetin dhe përkushtimin e tij institucional, por edhe një prej ministrave më të suksesshëm të Qeverisë Kurti, i cili ka sjellë investime dhe reforma të thella në bujqësi, zhvillim rural dhe përkrahje për fermerët në çdo cep të vendit”, thuhet në postim.
Kurse kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti, në një psotim të tij ka shkruar se Faton Pecin e njohim si ministri më i suksesshëm i Bujqësisë.
“Bashkëpunëtor shembullor në koalicionin tonë qeverisës, ministër i jashtëzakonshëm në qeverisje”, ka vlerësuar Kurti figurën e Pecit, duke shtuar se, derisa sot ai “është ministër në detyrë, në vjeshtë, Faton Peci do të jetë kryetar në krye të detyrës”.























