Dehari ndërpret seancën në marrëveshje me përfaqësuesit e partive
B.H./ RTKlive
(Përditësuar, 11:37) Vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për herë të 38-të është ndërprerë po sa ka filluar. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka thënë se një gjë e tillë u bë në pajtim me përfaqësuesit e partive politike.
“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues që e solli dje, sot u mblodhëm me përfaqësuesit e partive për një konsultë paraprake dhe të gjithë ishin të mendimit që seanca të ndërpritet pasi që nesër mbahet takimi i ftuar nga partia më e madhe politike. Do të vazhdojmë me seancë më 29 qershor, në orën 11:00. Urojmë t’i jepet fund këtij ngërçi”, tha Dehari.
Të pranishëm në sallë ishin 100 deputetë.
Dehari përfundon takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive
(Përditësuar 11:30) I shkurt ka qenë takimi konsultativ i kryesuesit i seancës konstituive, Avni Dehari, me përfaqësuesit e partive politike në prag të nisjes së vazhdimit të 38-të të seancës konstituive.
Dehari ka thënë se ftesën për këtë takim e bëri pas vendimit që ka nxjerrë të enjten Gjykata Kushtetuese.
Sot përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 38-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni.
Ndryshe të mërkurën vijoi seanca e konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ndërprerë të hënën, më 23 qershor.
Kryesuesi Avni Dehari ftoi subjektet politike parlamentare të cilat nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por të njëjtat nuk paraqitën propozime.
Kryesuesi Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Nga 92 deputetë të pranishëm në sallë, 52 votuan për, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.
Në këto rrethana kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të premten, më 27 qershor, në orën 11:00.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.























