Peci: Duhet marrëveshje politike, partitë t’i thërrasin arsyes
BKT
Lajme

Peci: Duhet marrëveshje politike, partitë t’i thërrasin arsyes

V.S|RTKlive

Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në konferencë për media pas takimit që patën me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit.

“Unë kam pasur një propozim dhe situata që duhet ofruar sipas ‘Guxo’ është që të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e  kryetares apo kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk mund të tjetërsohet në asnjë variant. Ne kemi një kryeministër në detyrë dhe një kryetar të LVV-së që në historinë e Kosovës ka legjitimitetin më të madh qytetar”, tha Peci.

Peci tha se partitë duhet t’i thirrin arsyes, e të vazhdohet me tentativa të radhës në mënyrë që në ditët e javët në vijim të ketë një Kuvend të konstituuar.

Ndërkaq, udhëheqësja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila po ashtu është në koalicion me LVV-në, ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë.

“Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se ka propozuar për ta hedhur në votim çështjen e asaj se si duhet të procedohet tutje, pra për mënyrën e votimit, porse sipas saj, as këtë ofertë nuk e kanë pranuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

“Kam dhënë propozim që të paktën të kthehemi një hap mbrapa dhe të pyesim seancën për mënyrën e votimit. Nuk e pranuan as këtë. Kjo qasje  e tyre s’ka as sqarim logjik e as politik. Kjo formë e kjo situatë nuk sjell ndjesi të mirë. Pakënaqësitë janë në rritje”, ka thënë Kusari-Lila.


MË SHUME NGA Lajme