Pas vendimit të Kushtetueses, ende pa marrëveshje për konstituim|VIDEO
BKT
Lajme

Pas vendimit të Kushtetueses, ende pa marrëveshje për konstituim|VIDEO

Edona Podvorica /RTK

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që obligon përfundimin e seancës konstituive brenda 30 ditësh, partitë politike ende nuk kanë arritur pajtim për formën e votimit të kryetarit të Kuvendit.

Para përpjekjes së 40-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të, partitë politike nuk kanë dhënë sinjale për marrëveshjen e shumëkërkuar për dalje nga bllokada aktuale.

Teksa Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, insiston për votim të fshehtë.

“Kam ofruar dy kompromise. I pari është që t’i delegojmë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet. Me bojkot nuk mund të shkohet përpara. Dhe pasi që të rrëzohet ai komision mund të kthehemi tek vota e hapur, me ç’rast le të kemi marrëveshje politike natyrisht që kryetari dhe pesë nënkryetarët, të votohen një nga një, mirëpo me marrëveshje paraprake”, tha Kurti.

Ai tha se ka bërë kompromise, megjithatë profesori universitar, Afrim Hoti, tha se Kushtetuesja e ka qartësuar situatën dhe tashmë duhet hequr dorë nga votimi i fshehtë.

“Në secilin stad, përfshirë jo vetëm këta tre muaj, por nëse i marrim edhe tre muaj të tjerë, si emërues i përbashkët i zgjidhjes së problemit, herët ose vonë, marrëveshje mes subjekteve politike. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë alternative. Sepse janë dy fakte krejtësisht të qarta; afati i parë lidhet me të drejtën e subjektit fitues për të pasur pozitën e kryeparlamentarit dhe për ta propozuar kandidatin. Dhe fakti i dytë është po ashtu subjekti fitues duhet të ketë numrat e nevojshme të cilët do të mund t’i bënte ose vetë ose përmes një partneri në koalicion”, tha Hoti.

Në përpjekje për zhbllokim të situatës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se presidentja pret të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit të përfundojë brenda 30-ditësh, siç është kërkuar nga Kushtetuesja. Ai tha se nëse paraqitet nevoja, presidentja Osmani, do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Aktgjykimi i Kushtetueses të 26 qershorit, thotë se seanca konstituive duhet të përfundojë Brenda 30 ditësh.


MË SHUME NGA Lajme