Dështon edhe përpjekja e 40-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë
B. H./ RTKlive
(E plotësuar, 11:23) Për herë të 40-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë herë kërkoi nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga deputetët 108 sa ishin në sallë, 51 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Kur Dehari kërkoi nga partitë që nuk kanë bërë propozime pë anëtarë të këtij komisioni në foltore fillimisht doli deputetja e PDK-së, Blerta Deliu e cila theksoi: “Kryesues po të bëjmë thirrje edhe një herë respektoje Kushtetutën. Ktheju rendit të ditës”. Por gjersa ishte duke folur regjia ia ndali mikrofonin pas kërkesës së kryesuesit Dehari.
Edhe Armend Zemaj nga LDK nuk propozoi emër, por kërkoi nga kryesuesi ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha me ironi se “për komision e propozojnë deputetin Albin Kurti”.
Pas dështimit në votim të Komisionit të fshehtë në mungesë kourumi, kryesuesi i seancës Avni Dehari deklaroi se senca ndërpritet dhe vazhdon më 3 korrik në orën 11:00.
Sot tentimi i 40-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar të dielën punimet seanca konstituive e Kuvendit.
Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj.
Kryesuesi Dehari rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati. Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të martën, më 1 korrik, në orën 11:00.
Nga zhvillimet e tjera presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim, për shkak të situatës me ngërçin politik. Kështu ka njoftuar Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës së Kosovës për RTKlive.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, ka konfirmuar ai.
Më tej Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.
“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.























