Elezi: Votuesit e një komune s’mund të votojnë me kusht në komunën tjetër
A.B / RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë 38 Qendra Votimi për të mundësuar votimin me kusht në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.
Sipas planeve të KQZ-së, në çdo komunë do të hapet nga një qendër, në të cilën qytetarët do të mund ta realizojnë këtë mënyrë votimi.
Këto informacione u bën të ditura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, por që sipas tij, për dallim nga Zgjedhjet për Kuvend, ku një votues mund të votonte në Qendrën për Votim me Kusht të çdo komune, në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit ky lloj votimi do të të lejohet vetëm në komunën ku është i regjistruar votuesi.
“Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është: 945. Nga ky numër i përgjithshëm, 907 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht”, tha për RTKlive Elezi.
Elezi ka sqaruar se një votues i regjistruar në një komunë, nuk mund të votojë në komunën tjetër dhe për rrjedhojë, as votimi me kusht nuk mundësohet jashtë komunës të cilës i përket votuesi.
“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvend, ku e gjithë Republika e Kosovës është një zonë e vetme zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë përbën një zonë të veçantë zgjedhore. Në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë. Për këtë arsye, edhe votimi me kusht nuk është i mundur nga një komunë në tjetrën. Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mundësohet në qendrën e veçantë për votim me kusht e cila caktohet nga KQZ”, tha Elezi.
Sipas rregullave të KQZ-së, votuesi në Kosovë, emri dhe mbiemri i të cilit gjendet në Listën Votuese, i cili për arsye objective nuk mund të votojë në vendvotimin e tij lejohet që të votojë në Qendrën e Votimit me kusht.























