RTK do të shfaqë sonte dokumentarin `Kushtetutë pa Mure`
RTK
Në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, RTK do të shfaqë sonte dokumentarin “Kushtetutë pa Mure!”, i cili ndriçon një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Ky dokumentar, i realizuar nga gazetarja Valdete Osmani, sjell ngjarjen historike të shpalljes së Kosovës si njësi e veçantë brenda federatës jugosllave, e cila konsiderohet si një nga shtyllat e para të mëvetësimit.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Kaçanikut më 7 shtator 1990, sipas protagonistëve të kohës, historianëve dhe akademikëve, përbëjnë pika kyçe që hapën rrugën drejt hapave të mëdhenj për shtetësinë.
Dokumentari “Kushtetutë pa Mure!” përmban rrëfime të veçanta nga disa protagonistë të asaj kohe, të cilët ishin pjesë e sistemit politik, akademisë së shkencave, të drejtave të njeriut dhe historian.
Nëpërmjet rrëfimeve të ish-sekretarit të Kuvendit Halit Muharremi, akademikut Ali Aliu, ish-kryetares së Gruas së LDK-së Luljeta Pula, Muharrem Shabanit (lexues i deklaratës) dhe shumë të tjerëve, rikthehen zhvillimet e 2 korrikut dhe në veçanti roli i grave delegate dhe guximi i tyre.
Disa nga gratë delegate ishin ndër të parat që në mënyrë vullnetare u regjistruan për të lexuar Deklaratën Kushtetuese të shkruar nga akademiku profesor Gazmend Zajmi.
Ish-delegatja e ndjerë Sevije Gjinaj ishte e para që mori përsipër leximin e deklaratës më 2 korrik 1990.
Pse nuk e lexoi ajo, do të mësoni në ora 22:00 në RTK1.
Po ashtu do të mësoni se cili ishte roli i juristes ndërkombëtare Eva (Teresa) Brendlli në këtë ngjarje?
Ajo theksoi rëndësinë ligjore të kuorumit dhe u përball publikisht me forcat policore. Arrestimi dhe presioni që përjetoi nuk e ndalën nga synimi që delegatët e Kuvendit të shpallnin deklaratën kushtetuese jashtë objektit të Kuvendit.
Eva (Teresa) Brendlli, si një imazh i paharrueshëm në pamjet filmike, u rikthye pas çlirimit në vitet 2000 për të shërbyer në misionin e OSBE-së.
Vite më vonë, në rrethana ende të pasqaruara mirë, ajo u gjet e vdekur në banesën e saj në Prishtinë.
Ky dokumentar rikthen zhvillimet e viteve ’90 si ngjarje të paçmueshme që ndryshuan rrjedhën e Kosovës në ish-Jugosllavi.
Mos e humbisni këtë ngjarje të rëndësishme! Njihuni me historinë që formoi shtetin që jemi sot.























