Sveçla: Të ndalohet ndezja e zjarreve në ambientet e hapura
BKT
Lajme

Sveçla: Të ndalohet ndezja e zjarreve në ambientet e hapura

M.M./ RTKlive

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë vendim përmes të cilit ndalohet rreptësishtë ndezja e zjarreve në të gjitha ambientet e hapura, duke përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion, piknik si dhe ndezjet e fishekzjarrëve.

Në një postim në “Facebook”, minsitri Sveçla bëri të ditur se këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në rrezikun e shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësia, si dhe për të parandaluar dëmtimet në mjedis, pasuritë private e publike, si dhe sigurinë e qytetarëve.

“Duke marrë parasysh rrezikun e shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësia, si dhe për të parandaluar dëmtimet në mjedis, pasuritë private e publike dhe sigurinë e qytetarëve, sot kemi marrë vendim përmes së cilit ndalohet rreptësishtë ndezja e zjarreve në të gjitha ambientet e hapura duke përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion, piknik si dhe ndezjet e fishekzjarrëve”, ka shkruar Sveçla.

Tutje, ai vuri në pah se ndezja e zjarreve është vepër penale andaj shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë e pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë këtë vendim, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr ose përhapje të tij. Në rast të vërejtjes së zjarrit ose rrezikut për zjarr, ju lutemi të lajmëroni menjëherë organet kompetente në numrin emergjent 193 ose Policinë e Kosovës në 192”, thuhet në postimin e ministrit Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme