Dehari votimin e fshehtë e konsideron kushtetues, i reagojnë opozitarët
M.Sh/RTKLive
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka dhënë disa sqarime pse ka propozuar votimin e fshehtë, duke thënë se nuk është në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.
“Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale. Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore”, thotë ai.
Gjykata Kushtetuese, sipas kryeplakut të Kuvendit, e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. “Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo”, thotë Dehari.
Vota për, kundër ose abstenim për komisionin për votimin e fshehtë nënkupton shprehjen e vullnetit të deputetëve për mënyrën e votimit, thotë ai.
“Normativisht, njëra mënyrë e votimit nuk ka më shumë vlerë a peshë sesa mënyra tjetër. Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thotë Dehari në rrjetin social Facebook.
Por, pas deklarimit të tij, pasuan reagimet nga deputetë e përfaqësues të subjekteve politike opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të Deharit, duke e akuzuar për keqinterpretim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket mënyrës së votimit për konstituimin e Kuvendit.
“Zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare. Këto praktika historike nënkuptojnë votim të hapur, siç ka ndodhur në të gjitha seancat konstituive të mëparshme. Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit të Gjykatës”, ka shkruar Gruda.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj qëndrimit të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
“‘Do të ishte shkelje kushtetuese nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo’, paska thënë Dehari. Ndërsa vendimi i tij, pa pyet askënd, për të ndryshuar mënyrën e votimit, qenka kushtetues. Pra, sipas tij, deputetët s’bën me i pyet, ata veç duhet me ulë kryet edhe me votu. Kjo është pra mendësia e tyre: Mbylle gojën, voto qysh t’thojmë na, nuk pyetesh ti për kurrgjë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.























