Haradinaj: Beteja e Morinës, shënoi një kapitull të ri në historinë e luftë
V.S/RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në përvjetorin e betejës së Morinës ka bërë homazhe pranë varrezave të të rënëve në këtë betejë.
“Beteja e Morinës më 7 korrik 1998, shënoi një kapitull të ri në historinë e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit. Në këtë përballje të lavdishme me forcat armike, ranë në altarin e lirisë disa nga djemtë më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Haradinaj.
Ai tha se bashkë me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, bënë homazhe për të nderuar bashkëluftëtarët që u përjetësuan atë ditë.
“Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli”.
Haradinaj tha se rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në përvjetorin e rënies, nderuam gjithashtu kujtimin për dëshmorin Agim Mazrekaj. Ai ishte luftëtar i dalluar, i vendosur dhe gjithmonë i gatshëm për betejë dhe për çdo detyrë ushtarake. Trimëria e Agimit do të kujtohet ndër breza. Gjithashtu, në Voksh të Deçanit nderuam pranë lapidarit të dëshmorit Xhevat Nitaj”, shkroi lideri i AAK-së në përvjetorin e kësaj beteje.























