Policia në aksion, arrestohen 34 persona për aktivitete të kundërligjshme
V.S/RTKlive
34 persona kanë përfunduar në prangat e policisë nën dyshimet për përfshirje direkte në aktivitete të paligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.
Policia ka treguar se nga ta, 8 janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 26 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës thotë se operacioni u realizua me sukses në funksion të luftimit të këtyre veprimtarive të kundërligjshme, i cili, siç kanë thënë, është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25 prill, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të Rajonit të Prishtinës.

“Operacioni ka rezultuar tejet i suksesshëm, me ç’ rast; -Janë vëzhguar-verifikuar, 91 lokale të ndryshme. Në 60 prej lokaleve janë ndërmarrë kontrolle të detajuara. 15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunal për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave. Janë iniciuar 25 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.
Përgjatë operacionit, bëhet e ditur në raportin policor se janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme edhe 18 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtë, pajisje te laboratorit për kultivim, përpunim te substancave narkotike, para 5544.40 euro, 3 laptop, 2 printer për shtypje te tiketave, 3 aparate skenimi te tiketave, 16 telefona mobil të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar dhe e palëkundur në angazhimin e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të jashtëligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
“Ky operacion dëshmon edhe njëherë profesionalizmin, bashkëpunimin institucional dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe interesit të qytetarëve”, përfundon komunikata e policisë rreth aksionit kundër veprimtarive të kundërligjshme.























