Kelmendi e Bogdani flasin për koordinim në luftë ndaj krimit e korrupsionit
BKT
Lajme

Kelmendi e Bogdani flasin për koordinim në luftë ndaj krimit e korrupsionit

V.S/RTKlive

Besim Kelmendi si ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka pritur sot në një takim zyrtar Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga kryetarja, Mirela Bogdani.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy prokurorive, me fokus në shkëmbimin e përvojave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe koordinimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. U diskutua për kornizën ligjore të të dyja vendeve, metodologjinë e përcaktimit të normës, matjen e performancës dhe sfidat gjatë zbatimit”, thuhet në njoftim.

Kelmendi, siç tregon zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si dhe mbështetjen reciproke për procedurat që kanë të bëjnë me ndjekjen penale të veprave të rënda ndërkufitare.

Ndërkohë, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, Mirela Bogdani, thuhet se ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e drejtësisë së Kosovës, duke ritheksuar gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Takimi, siç kanë thënë, përfundoi me zotimin e të dy palëve për intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të të dy vendeve.


MË SHUME NGA Lajme