Zjarri rrezikoi Manastirin e shtëpitë, KFOR-i ndihmoi me helikopter
V.S/RTKlive
Një zjarr i përmasave të mëdha që kishte përfshirë sipërfaqe të madhe të malit që iu kishte afruar Manastirit të Deviçit, objekt ky i trashëgimisë kulturore fetare, si dhe shtëpive aty, është lokalizuar nga zjarrfikësit, Policia e Kosovës e KFOR-i që ndihmoi me helikopter.
“Për ta lokalizuar zjarrin, janë ftuar në asistim edhe Njësia Speciale Operative dhe njësi të KFOR-it, të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel po ashtu edhe me pajisje. NJSO ka ofruar asistim me topa të ujit, kurse KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas tyre, falë përkrahjes së ofruar nga Njësia Speciale Operative dhe KFOR-i, është evituar rreziku i përfshirjes nga zjarri të objektit të Manastirit të Deviçit dhe shtëpive përreth.
“Gjatë tërë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme njësitë e Zjarrfikësve, njësitë policore dhe KFOR-i janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për lokalizimin e tërësishëm të zjarrit në zonën e lartcekur”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rastin, thuhet se Njësia e hetimeve të Stacionit Policor në Skenderaj ka mbledhur dëshmi nga vendi i ngjarjes. “Ku sipas personit përgjegjëses se Manastirit të Deviçit dyshohet se zjarri është shkaktuar nga telat e rrymës për shkak të erërave të forta që kanë qenë në këtë zonë ditën e djeshme”, thotë njoftimi i policisë.























