RTMZ, RTSH dhe RTK së shpejti të pranishme me zyre edhe në Ulqin
B.H./RTKlive
Komuna e Ulqinit ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me serviset publike mediatike të Malit të Zi (RTMZ), Shqipërisë (RTSH) dhe Kosovës (RTK), duke vendosur kështu themelet për hapjen e një studioje mediatike rajonale në këtë qytet.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, deklaroi se Komuna e Ulqinit e ka mbështetur këtë projekt dhe se do të vërë në dispozicion hapësirat për studion rajonale, e cila do të hapet së shpejti në Ulqin me investimin e RTMZ-së, çka do ta vendosë Ulqinin në hartën e informimit në rajon, në bregdet.
“Po e bëjmë këtë që këto tre transmetues publikë të shteteve përkatëse, përmes forcimit të bashkëpunimit, të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit. Promovimi që do të vijë nga puna e kësaj studioje rajonale do të jetë i dobishëm jo vetëm për qytetarët e Ulqinit, por edhe për Malin e Zi dhe gjithë rajonin”, tha kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, deklaroi se për herë të parë në Evropë do të kemi një studio që do të përdoret nga tre serviset publike mediatike.
“Kjo është një gjë e madhe që do të nënkuptojë lidhjen e tre shteteve dhe tre serviseve publike, dhe natyrisht do të jetë shumë e dobishme për mjedisin lokal. Nga kjo studio nuk do të përfitojë vetëm Ulqini, por i gjithë rajoni. Ajo që mund të premtojmë është se me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe partnerëve të tjerë do ta bëjmë punën në mënyrë efikase, dhe efektet do të ndihen shumë shpejt në programin tonë, si dhe në programet e kolegëve në Kosovë dhe Shqipëri, do të kemi më shumë informacione që do të transmetohen nga Ulqini”, tha Raoniq.
Edhe drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është shumë i rëndësishëm për të gjithë, veçanërisht për shikuesit e RTK-së, të cilët kanë interes të madh për zhvillimet në Ulqin dhe rrethinë.
Ai falënderoi Komunën e Ulqinit që do të ofrojë hapësirën për studion rajonale që do të përdoret nga të tre transmetuesit publikë.
Ervjola Osmanaj nga Radio Televizioni Shqiptar u shpreh se janë shumë të lumtur për përmirësimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm me Kosovën dhe Malin e Zi, si dhe në organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve që kanë si fokus promovimin e artit, kulturës dhe vlerave të vendeve tona.
























