LDK publikon listën e kandidatëve, Lutfi Haziri nuk garon për Gjilanin
BKT
Lajme

LDK publikon listën e kandidatëve, Lutfi Haziri nuk garon për Gjilanin

V.S/M.Sh/RTKlive

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zyrtarizuar ekipin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në shumicën e komunave LDK ka shkuar me kandidatët e vjetër, ndërsa përjashtim bënë komuna e Gjilanit, për të cilën nuk kandidon Lutfi Haziri, por për zgjedhjet e ardhshme kandidat është Arbër Ismajli.

“Pas një procesi të brendshëm konsultativ, të ndërtuar mbi besim, unitet të plotë si rrallëherë më parë; dhe përkushtim të sinqertë, LDK sjell para qytetarëve më të mirët që ka – një ekip përfaqësuesish të jashtëzakonshëm, me dije dhe me vizion të qartë për zhvillimin e qyteteve tona”, shkruan kryetari Abdixhiku.

Disa prej tyre, sipas tij, janë udhëheqës të dëshmuar, figura që kanë rikthyer besimin në qeverisje, që kanë mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe kanë sjellë projekte e zhvillim konkret në komunat e tyre. “Të tjerët janë energjia e re që vjen me pasionin e ndryshimit – njerëz që janë gati të marrin përgjegjësi atje ku sot mungon dija dhe drejtimi”, thotë ai.

Ky është ekipi ynë për zgjedhjet lokale të vitit 2025:

Përparim Rama – Prishtinë; Imri Ahmeti – Lipjan; Xhafer Gashi – Obiliq; Besnik Osmani – Fushë Kosovë; Ekrem Hyseni – Podujevë; Gazmend Heta – Drenas, Xhafer Tahiri – Vushtrri; Gëzim Plakolli – Mitrovicë; Gazmend Muhaxheri – Pejë; Ilir Ferati – Istog; Bexhet Xheladini – Dragash; Driton Selmanaj – Prizren; Ardian Shala – Suharekë; Visar Azemi – Ferizaj; Kastriot Shabani – Shtime; Valmir Ahmeti – Shtërpce; Sokol Haliti – Viti; Arbër Ismajli – Gjilan; Bajrush Ymeri – Novobërdë; Ruzhdi Shehu – Junik; Shefqet Shehu – Gjakovë; Jeton Mushkolaj – Deçan; Burim Krasniqi – Rahovec.

“Në ditët në vijim, do të zyrtarizojmë edhe kandidatët tanë për Malishevë, Klinë, Kamenicë dhe Kaçanik; siç do të finalizojmë dhe listën e mbi 994 këshilltarëve lokal me të cilët garojmë në zgjedhjet lokale në të gjitha komunat”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku: Fatkeqësisht jemi peng kolektiv i një njeriu të vetëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të kryesisë së partisë që drejton, tha se Kosova po mbahet peng i një njeriu të vetëm.

“LDK-ja ka lëvizur nga pozicioni i vetë me tendencë të qartë për zhbllokimin e situatës. Pra nuk kemi dashur asgjë për veti. Kemi dashur Qeveri të Unitetit për muajt e mbetur në mënyrë që të shmanget kriza institucionale. Fatkeqësisht jemi peng kolektiv i një njeriu të vetëm i cili nuk e kupton as demokracinë as pragmatizmin, nuk e kupton as nevojën që duhet për shumicë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se LDK-ja nuk mund të bëjë asgjë më shumë se kaq. “Sepse fatkeqësisht partia e parë ka të gjitha mekanizmat për të mbajtur këtë kapje të paligjshme, jo logjike e të dëmshme të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kreu i LDK-së tha se dërguan lëndë të re në kushtetuese sepse konsiderojmë që ka një akt jo më një dyshim të përmbysjes së rendit kushtetues nga partia e parë.

“Sepse ka një konsensus të gjerë, edhe të partive politike e besa edhe të presidentes se mënyra e votimit nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare. Imponimi e arbitrariteti në seancë konstituive është praktike jo kushtetuese”, tha ai.

Abdixhiku tha se fatkeqësisht nuk i kanë 48 deputetë sepse konstituimi do të ndodhte ditën e parë.

“Fatkeqësisht ne nuk i kemi 48 deputetë, secila palë në Kosovë po t’i kishte 48 deputetë, konstituimin e Kuvendit do ta bënte të parën ditë e të parën punë. Ka tendencë të partisë së parë të vazhdojë tutje me bllokadë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së u deklarua edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Është mirë të ketë zgjidhje politike, por nëse nuk ka vullnet për zgjidhje politike ne pashmangshëm po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja”, deklaroi ai.

Tha se LVV-ja e refuzoi unitetin e në ndërkohë, sipas tij,  vazhdojnë me ofendime mëngjes e mbrëmje. “Që na japin më shumë arsye dhe t’iu shpjegojmë anëtarësisë sonë dhe votuesve pse bashkëpunimi me ta është i pamundur”, tha Abdixhiku.


MË SHUME NGA Lajme