Sot nis festivali ndërkombëtar ‘Anibar’ në Pejë, filma nga 90 vende
BKT
Kulturë

Sot nis festivali ndërkombëtar ‘Anibar’ në Pejë, filma nga 90 vende

K. K. / RTKlive

Sot në qytetin e Pejës nis edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend, filmat vijnë nga 90 shtete të ndryshme, përfshirë vende të rajonit, por edhe shtete të largëta si Azerbajxhani dhe Brazili.

Koordinatorja e festivalit, Vita Kasapolli, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK tha  se “këtë vit i kemi pas 1500 aplikime prej anë e mbanë botës edhe si ekip kemi arrit me i përzgjedh 162 filma që kanë me u nda në 6 gara dhe kategori të tjera jogaruese”.

“Krejt këta filma janë të veçantë në formën e tyre, me tema të ndryshme. Këtë vit kemi filluar të përdorim hapësira të reja në qytet dhe të fokusohemi në tema më specifike që nuk i kemi trajtuar më parë, duke parë nevojat e industrisë së animacionit”, tha Kasapolli.

Filmat do të shfaqen në gjashtë kategori garuese, si dhe në disa seksione jogaruese, ndërsa festivali këtë vit vjen me një program më të pasur dhe më të ngjeshur se vitet e kaluara.

Tema që përshkon festivalin këtë vit është “E ardhmja”, e trajtuar si një pyetje e hapur për publikun.

“Për herë të parë nuk vijmë me një pikë, por me pikëpyetje. Po pyesim publikun: Cila është e ardhmja?  dhe shpresojmë që gjatë festivalit të marrim përgjigje të ndryshme përmes imagjinatës dhe fuqisë së animacionit”, shtoi ajo.


MË SHUME NGA Kulturë