Radio Kosova nis programin veror me energji, kulturë dhe zëra nga diaspora
BKT
Kulturë

Radio Kosova nis programin veror me energji, kulturë dhe zëra nga diaspora

Bardha Shkreli / RTK-Radio

Radio Kosova ka nisur programin e saj veror në të dy kanalet, Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2, duke sjellë freski, ritëm dhe përmbajtje të përshtatura për stinën e pushimeve.

Programi veror i këtij viti sjell rubrika të reja, emisione nga terreni, më shumë muzikë, më shumë zëra dhe histori që pasqyrojnë jetën e përditshme, kulturën, diasporën dhe komunitetet në vend. Ushtruesi i detyrës së redaktorit përgjegjës të programit të parë të Radio Kosovës, Nimetullah Cahani, flet mëgjerësisht për projektin.

 ‘’Pjesë e Vera me Radio Kosovën janë edhe rivierat në Shqipëri pastaj Ulqini por edhe zona e liqenit të Ohrit ku nuk mungojnë turistët nga Kosova. Në Vera me Radio Kosovën do të transmetohen  edhe pjesë të intervistave, reportazhe, kronika nga redaksitë tjera që i përshtaten natyrës së Vera me Radio Kosovën . Do të përpiqemi që çdo ditë të kemi mysafirë në studio ose biseda të drejtpërdrejta me personazhe nga profile të ndryshme. Sigurisht edhe sporti është pjesë e rëndësishme e Verës me Radio Kosovën me informacione dhe aktivitete sportive  nga kolegët e redaksisë së sportit”, tha Cahani

Një ekip i tërë tashmëështë angazhuar për projektin “Vera me Radio Kosovën” . Libri, filmi e teknologjia po ashtu do të jenë pjesë e programit veror që do të transmetohet edhe në kanalin e dytë të Radio Kosovës. Vjosa Husaj ushtruese e detyrës së redaktores përgjegjëse të programit në kanalin e dytëtë Radio Kosovës, sjell hollësi mbi ngjarjet.

 ‘’Pa dyshim që bashkatdhetarët zënë një vend të rëndësishëm në rubrikat tona të rregullta ,rrëfimet e tyre po ashtu do të fokusohemi tek historitë e vjetra të verës ku kuptojmë pak më shumë për lojërat që janë luajtur më herët, lojërat tradicionale . Do të sjellim edhe destinacione të ndryshme të botës padyshim me theks të veçantë edhe tek qytetet e bukura vende turistike të Kosovës”, tha Husaj.

Një verë që sjell emisione me plot përmbajtje, emocion, argëtim e nostalgji, nga 14 korriku deri më 15 gusht do të transmetohet edhe në radion me frekuencë nacionale në Zvicër, ALB radio. Ky transmetim po realizohet për të tretin vit radhazi, ku Radio Kosova dhe ALB Radio në Zvicër po krijojnënjë urë që lidh bashkatdhetarët me vendlindjen, përmes përmbajtjeve të veçanta të përzgjedhura për mërgatën.

Na ndiqni çdo ditë në valët e Radio Kosovës, në rrjetet sociale, platforma digjitale dhe përmes partnerëve tanë në diasporë.


MË SHUME NGA Kulturë