Transmetuesi Publik më afër dëgjuesve brenda dhe jashtë vendit!
Bardha Shkreli / RTK-Radio
Radio Kosova vazhdon të sjellë për dëgjuesit e diasporës program të pasur me intervista nga fusha e kulturës, shembuj të investimeve nga mërgata, informacione mbi turizmin e pasqyrim të momenteve nga njerëzit që argëtohen gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar, reportazhe për trashëgiminë kulturore etj.
Kjo falë bashkëpunimit që Radio Kosova ka ndërtuar me radion me frekuencë nacionale në Zvicër, ALB Radio. Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili thotë se pjesë e rëndësishme e Radios, është edhe komunikimi me diasporën.
“Sivjet në kuadër të këtij bashkëpunimi do të transmetohet edhe emisioni “Fol shlirë” me Agim Kiten, që do të thotë, Radio Kosova do të jetë më afër bashkatdhetarëve. Në këtë mënyrë ne e përmbushim një mision tonin për t’i shërbyer bashkatdhetarëve tanë sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e komunikimit me Radio Kosovën, si një dritare e vetme dhe më e rëndësishmja e informimit me vendlindjen. Ne si Radio Kosovë , ne si transmetues publik natyrisht se e kemi prioritet ruajtjen e kulturës, traditave dhe ky do të jetë prioritet i yni në të ardhmen”, ka thënë Halili.
Në anën tjetër edhe drejtori i ALB radios në Zvicër, Premtim Sermaxhaj, në një prononcim për radion tonë, shprehet i kënaqur me bashkëpunimin që ka ndërtuar tash e tri vite me Radio Kosovën. Ky bashkëpunim i ka shërbyer shumë mirë komunitetit shqiptar në jeton në Zvicër, thotë Sermaxhaj.
“Me qenë partner me ju është privilegj ,është kënaqësi për të gjithë, po flas për krejt komunitetin tonë shqiptarë; si shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut , të Malit të Zi dhe të Luginës. Unë po mendoj që këto intervistat epike që i keni, pastaj ato kronikat rreth vendbanimeve tona ku me i kalu bashkatdhetarët pushimet, që ndoshta nuk ju ka rastis me i vizitu, këto janë sikur qershia mbi tortë. Një informacion në kohën e duhur në vendin e duhur”, ka shtuar Sermaxhaj.
Ndryshe, Halili por edhe Sermaxhaj premtuan se do të nxisin bashkëpunime të tilla edhe në të ardhmen, pasi që kështu janë më të fuqishëm dhe më të pranishëm tek audienca shqiptare kudo që ndiqet frekuenca e Radio Kosovës dhe ALB–Radios.























