Perteshi: Arrestimet për spiunazh, kërcënim i vazhdueshëm për stabilitetin
BKT
Lajme

Perteshi: Arrestimet për spiunazh, kërcënim i vazhdueshëm për stabilitetin

E.Hoti/RTKlive

Arrestimet për spiunazh janë dëshmi e një rreziku të vërtetë për sigurinë kombëtare dhe një kërcënim i vazhdueshëm për stabilitetin e vendit. Kështu deklaroi Skënder Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Resiliencë “Prevent”, i cili e konsideron të domosdoshëm rivlerësimin e personaliteteve që nuk kanë kaluar procesin e verifikimit.

Ai tha se verifikimi i zyrtarëve në mënyrë të detajuar duhet të bëhet për shkak të sigurisë kombëtare.

Sipas Perteshit, Policia e Kosovës është treguar mjaft efikase në luftën kundër spiunazhit, duke vepruar me profesionalizëm edhe në rrethana ku vendi drejtohet nga një qeveri në detyrë. Megjithatë, ai shtoi se një qeveri funksionale ka ndikim më të madh dhe rol më të thelluar në avancimin e sigurisë.

“Ky është një sukses i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe për gjithë shoqërinë, sepse përballja me kërcënime të tilla kërkon vendosmëri, vigjilencë dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe qytetarëve. Arrestimi i këtyre individëve ndihmon jo vetëm në parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe destabilizuese, por edhe në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit të shtetit ligjor”, tha ai në emisionin "Info Plus" në RTK.

Megjithatë,  Perteshi tha se ky fenomen që mbetet një shqetësim serioz dëshmon se institucionet e inteligjencës dhe të sigurisë së Serbisë vazhdojnë të kenë prezencë operative në Kosovë.

"Qëllimi i këtyre mekanizmave është i qartë, të destabilizojnë Kosovën, të minojnë institucionet e saj dhe ta paraqesin atë si një shtet të dështuar para bashkësisë ndërkombëtare. Narrativi që përçon politika zyrtare e Beogradit është që të shfaqë Kosovën si vend ku ligji nuk funksionon, dhe ku shteti ushtron dhunë ndaj komuniteteve pakicë, veçanërisht ndaj popullatës serbe”, theksoi ai.

Për këtë arsye, ai tha se është me rëndësi jetike që përveç punës së palodhshme të institucioneve, të thellohet edhe bashkëpunimi me qytetarët, në veçanti me komunitetin serb të Kosovës. "Çdo qytetar i ndershëm, pavarësisht përkatësisë etnike, duhet të ndihmojë në identifikimin dhe raportimin e çdo aktiviteti të dyshimtë që mund të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin e përbashkët".

Ai  tha se duhet falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës për vigjilencën dhe profesionalizmin e treguar, dhe t’u japim mbështetjen e duhur në përpjekjet për të ruajtur rendin, sigurinë dhe integritetin e vendit tonë.

“Institucionet e sigurisë si Policia, FSK, AKI, por edhe partnerët ndërkombëtarë si EULEX dhe KFOR, kanë bashkëpunim të mirë dhe kjo është për t’u vlerësuar”, u shpreh Perteshi.

Ai po ashtu vlerësoi investimet e Kosovës në fushën e sigurisë gjatë tri viteve të fundit, duke theksuar se vendi ka arritur një shkallë të lartë të buxhetit për mbrojtjeje, për dallim nga shumë shtete të rajonit.

“Rekomandohet që Kosova të mos ndryshojë strategjitë aktuale të sigurisë, por t’i përforcojë ato. Në këtë drejtim, duhet të rritet buxheti për siguri në 3 për qind të GDP-së dhe të vazhdohet me rekrutimin vjetor të 1500 ushtarëve të rinj”, përfundoi ai.

Rikujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim togerit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje. I dyshuari është arrestuar dje nën dyshimin se ka punuar për institucionet serbe të sigurisë.

Ai ka punuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ndërsa pas bastisjes në shtëpi i janë gjetur dokumente të klasifikuara: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, USB, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 eurosh, 2 milionë dinarë serbë (rreth 17.072 euro), 600 franga zvicerane dhe prova të tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.


MË SHUME NGA Lajme