Gërvalla: RTK e goditur nga Përmbaruesit për borxhe të vjetra
RTKlive
Drejtori i RTK-TV, Rilind Gërvalla, tha se RTK është e goditur nga Përmbaruesit për borxhe të vjetra. Ai ka thënë se këto 26 vite funksionim, RTK është përballur me mosqëndrueshmërinë financiare dhe të pronës, por edhe me mungesën e ligjit, sidomos për trashëgiminë arkivore, sikurse ka ndodhur gjatë transformimeve të sistemeve politike, me theks te mediumet e tjera në ish-Jugosllavi.
“Rreziku që RTK të mos ketë paga ka qenë prezent në disa faza edhe më herët; i fundit ka qenë në vitin 2021, kur edhe është lëshuar vendimi i Qeverisë në detyrë nr. 05/60, i datës 27.01.2021. RTK pronar e ka qytetarin e Kosovës; nuk është as e pozitës e as e opozitës. Si zë i publikës, ka misionin e saj të informojë, arsimojë dhe pasurojë jetën kulturore të qytetarëve të Republikës, pra të zhvillohet dhe të ngrisë cilësinë programore”, ka shkruar Gërvalla në ‘Facebook’.
Sipas tij, 70% e programacionit nuk është lajme e as informacion, por emisione premierë që punohen nga ekipet editoriale.
“E çdo goditje ndaj stabilitetit financiar është goditje ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar pa pagesë, pasi që i vetmi medium falas (free on air) është RTK-ja. Prandaj, meriton respekt dhe reformë mbi meritokracinë, ndaj profesionistëve. Kjo situatë kërkon përgjegjësi të përbashkët nga të gjitha partitë, të cilat për këto 26 vjet nuk e kanë konsideruar RTK-në si vlerë demokratike, por si vendpunishte ku shprazin energjitë negative të grumbulluara mbi gabimet politike që i kanë bërë vetë ata, duke e lënë RTK-në në borxhe, të cilat këto 4 vite e kanë goditur transmetuesin publik nëpërmjet PËRMBARUESVE!. RTK meriton mbështetje, jo pasiguri!”,ka shkruar Gërvalla.























