Gashi: Situatë e komplikuar që Limaj të jetë kryeparlamentar
V.S|RTKlive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi e ka quajtur pozitiv takimin që kanë pasur lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me atë të Nismës, Fatmir Limaj, por tha se e komplikuar është situata që ky i fundit të zgjidhet kryeparlamentar, është në listë të zezë.
“Është situatë pak më e komplikuar për kryetar të Kuvendit, për Limajn, por gjithsesi akoma nuk është diskutuar në kryesi të partisë, por qëndrimi i përgjithshëm është që nuk votohet një kandidat jashtë LDK-së. Nuk po dua të merrem me problemet që i ka në listë të zezë...e këto gjërat që e bëjnë pak më problematike për një pozicion kyç siç është kryetari i Kuvendit, përndryshe për pozicione të tjera do të ishte mendoj normalitet të jetë pjesë e politikës përderisa ka fituar zgjedhjet”, tha ai.
Ndërkohë, pyetur nga gazetarja e RTK-së për problemet financiare me të cilat po përballet RTK-ja si transmetuesi i vetëm publik, që si shkak i moskonstituimit të Kuvendit, punëtorët rrezikojnë të mbesin edhe pa paga, Gashi tha se kjo pyetje duhet t’u bëhet deputetëve të LVV-së.
“Këtë pyetje bëja deputetëve të LVV-së, sepse ata e kanë në kontroll RTK-në njëqind për qind. Më vjen keq që RTK është në këtë gjendje, por ne kemi katër vite që po themi se po instrumentalizohet e po keqpërdoret transmetuesi publik dhe kjo është e dëmshme për interesin publik dhe lirinë e mediave”, tha ai.























