Berisha: ‘Meet the Balkans’, guidë sociale për të prezantuar kulturën tonë
K. K. / RTKlive
Autorja dhe ilustratorja Lida Berisha, duke folur në RTK për librin e saj “Meet the Balkans”, një vepër ilustrative dhe satirike, tregoi se frymëzimi për ta shkruar librin i ka lindur nga përvoja personale në Norvegji.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj. Fillova me analiza të sjelljes së norvegjezëve, pastaj vetvetiu lindi pyetja: po ne, çfarë jemi? Fillimisht ishin shkrime të vogla, pastaj ilustrimet vetëm ia bashkëngjita”, tha ajo.
Berisha, e cila ka jetuar në disa vende të Ballkanit, theksoi se përvoja ndërkulturore e ka ndihmuar t’i dallojë më qartë vlerat, po ashtu edhe mangësitë e kulturës ballkanike. Sipas saj, shpesh fokusohemi vetëm tek aspektet negative dhe harrojmë të shohim anën pozitive.
“Ne kemi një kulturë shumë të pasur, por shpesh jemi shumë të fokusuar te mangësitë, saqë nuk e vërejmë pjesën e mirë. Kur distancohemi ose kur përballemi me një kulturë tjetër, siç më ndodhi mua në Norvegji, e shohim më qartë se çfarë kemi dhe çfarë na mungon”, pohoi Berisha.
Ajo shtoi se sa më shumë që integrohej në një kulturë të re, aq më shumë ndiente lidhjen me Ballkanin. Kjo, sipas saj, e nxiti të krijonte një “guidë sociale” që do t’i ndihmonte të huajt të kuptonin më mirë kulturën dhe realitetin ballkanik.























