Menaxhmenti i RTK-së i kërkon Qeverisë që ta ndajë buxhetin
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Menaxhmenti i RTK-së i kërkon Qeverisë që ta ndajë buxhetin

Visar Shatrolli / RTK

Radiotelevizioni i Kosovës, si mediumi i vetëm publik në vend, po përballet me sfida serioze që vënë në pikëpyetje vetë funksionimin e tij, në rast se nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për çështjen e buxhetit.

Ushtruesi i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, tha se si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, RTK rrezikon seriozisht misionin për të cilin është themeluar.

“Në kushte normale gjatë muajit korrik RTK-së i alukohet gjysma e dytë e buxhetit vjetor, mire po sivjet ndonëse jemi me datën 21 korrik një gjë e tillë  nuk ka ndodhur ende për shkak të mos konstituimit të kuvendit dhe pa mundësisë së komisionit funksional të kuvendit që ta autorizojë këtë llokim të mjeteve. Nëse kjo situatë nuk zgjidhet brenda vetëm disa ditëve RTK do ta ketë të pa mundur që në fund të muajit ti kryej obligimet e veta ligjore dhe financiare përfshirë edhe pagat e punëtorëve si dhe pagesat e faturave” ka thënë Hundozi.

Një gjendje e tillë, sipas Hundozit, e pamundëson funksionimin e RTK-së .

“Aktualisht po flasim për pjesën e dytë të buxhetit të RTK-së, buxhetit vjetor i cili është i miratuar në Kuvendin e Kosovës, pra ndonëse se kemi nevoja të shumta ne nuk po flasim tani për buxhet shtesë, rishikim të buxhetit apo për financim të ndonjë projekti të jashtëzakonshëm por vetëm për transferimin në llogari të RTK-së të mjeteve të ndara dhe të miratuara në kuvend ashtu siç është bërë në fillim të këtij viti”, shtoi Hundozi.

Për situatën në RTK ka reaguar edhe drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla. Sipas tij, RTK e ka pronar qytetarin e Kosovës, e nuk është as e pozitës e as e opozitës.

“Çdo goditje ndaj stabilitetit financiar është goditje ndaj të drejtës se qytetareve për t`u informuar pa pagese, pasi i vetmi medium falas është RTK-ja, prandaj meriton respekt dhe reforme mbi meritokracinë ndaj profesionisteve. Kjo situate kërkon përgjegjësi te përbashkët te te gjitha partive që për këto 26 vjet nuk e kane konsideruar RTK-ne si vlere demokratike, por si vendpunishte ku lirojnë energjitë negative te grumbulluara mbi gabimet politike qe i kane bere vete ata, duke e lënë RTK-ne ne borxhe te cilat këto 4 vite e kane goditur atë nëpërmjet PERMBARUESVE!?”, ka thënë Gërvalla.

Sipas tij, RTK meriton mbështetje e jo pasiguri.

Për të njëjtën situatë, Hunodzi në fillim të këtij muaji i kishte kërkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe ministrit në detyrë të Financave Hekuran Muratit, që të bëjnë ndonjë zgjidhje përmes një veprimi urgjent. Duke shprehur shqetësimin serioz nëpër të cilin po kalon RTK, në letrën që ua ka dërguar Kurtit e Muratit, Hundozi ka kërkuar alokimin e fondeve tashmë të ndara dhe të miratuara për Televizionin Publik. Ai ka kujtuar se një veprim i tillë nuk do të përbënte precedent të ri, pasi edhe në të kaluarën janë gjetur zgjidhje të ngjashme për të shmangur ndërprerjen e financimit në raste të krahasueshme.


MË SHUME NGA Lajme