Shembulli i 2021-ës mund të ndihmojë për zhbllokimin e financimit të RTK-së
BKT
Lajme

Shembulli i 2021-ës mund të ndihmojë për zhbllokimin e financimit të RTK-së

Donika Sherifi|RTK

Një situatë e ngjashme si kjo e tanishmja ka ndodhur edhe në vitin 2021, kur qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Avdullah Hoti, gjeti një zgjidhje për buxhetin e RTK-së, përmes një vendimi të posaçëm. Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se një gjë e tillë është e mundur edhe sot, nëse ekziston vullneti politik. Sipas tij, zv/kryeministri Bislimi në bazë të Kushtetutës dhe ligjit për qeverinë, mund të marrë vendime që zbatojnë ligjin për RTK-në.

Në atë kohë, Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, përmes një vendimi të posaçëm, bëri të mundur që RTK-së t’i transferoheshin mjetet buxhetore për tremujorin e parë të vitit.

“...me qëllim të mundësimit të funksionimit të transmetuesit publik dhe sipas kërkesës së RTK-së, përmes këtij vendimi aprovohet dhe autorizohet alokimi i mjeteve buxhetore për tremujorin e parë të vitit 2021…”, thuhet në vendimin e Qeverisë të vitit 2021.

Vendimi parashihte që fondet e dhëna t’i nënshtroheshin një rishikimi të mëvonshëm nga Komisioni Parlamentar për Buxhet.

Për krizën aktuale në RTK ka folur edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“E kemi zëvendëskryeministrin Bislimi i cili, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit për qeverinë, mund të marrë vendime që zbatojnë ligjin për RTK-në... Nëse ka vullnet politik, ka edhe zgjidhje. Nëse nuk ka, fshihemi pas interpretimesh që e pengojnë punën e RTK-së”, tha ai

Sipas Miftarajt, Ligji për Qeverinë ua mundëson autoriteteve në detyrë të ekzekutojnë vendime që burojnë nga ligjet në fuqi.

“Këtu nuk po flasim për obligime të reja, por për një ligj për buxhet që është miratuar nga Kuvendi dhe që duhet zbatuar nga Qeveria”, tha Miftaraj.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e RTK-së i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të alokojnë menjëherë fondet e miratuara dhe të reflektojnë karshi gjendjes së rëndë financiare në transmetuesin publik.


MË SHUME NGA Lajme