Limaj: Asnjë ditë nga afati i Kushtetueses nuk është shfrytëzuar
BKT
Lajme

Limaj: Asnjë ditë nga afati i Kushtetueses nuk është shfrytëzuar

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas dështimit të seancës së Kuvendit, ka thënë se të gjithë deputetët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me situatën aktuale politike dhe funksionimin e institucioneve.

Limaj ka theksuar se që nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar detyrën e tyre kushtetuese , votimin në Kuvend.

“Po dëgjoj shumë mendime të ndryshme këto ditë, por dua ta shfrytëzoj rastin për t’u drejtuar edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që nga dita kur është marrë aktgjykimi i fundit, deputetët nuk kanë pasur mundësi të votojnë, siç e parasheh Kushtetuta”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, afati 30-ditor i caktuar nga Kushtetuesja nuk është shfrytëzuar fare, pikërisht sepse nuk iu është dhënë deputetëve hapësira për të votuar.

“Besoj se ka pasur devijim nga rendi i ditës dhe pres që Gjykata Kushtetuese ta njohë këtë realitet. Në këtë 30-ditësh, asnjë ditë nuk është përdorur për ushtrimin e mandatit të deputetëve”, ka theksuar ai.

Sipas tij, zgjidhja nuk mund të vijë përmes veprimeve të njëanshme apo zgjidhjeve të pjesshme.

“Zgjidhja nuk është te zgjidhjet parciale, por vetëm përmes një marrëveshjeje politike që siguron shumicë parlamentare si për Kuvendin, ashtu edhe për Qeverinë. Nisma është e gatshme të japë kontributin e saj për ndërtimin e institucioneve”, ka theksuar ai.


MË SHUME NGA Lajme